“Komploti i madh ndaj njerëzimit me PLANdeminë”, dokumentari që po i ushqen fansat e konspiracionit

Ekziston një plan për ta nënshtruar njerëzimin në një rifillim të ri, një “Great Reset”. Dhe kjo është vendosur në forumin ekonomik të Davosit, duke shfrytëzuar një virus të shpikur në laborator, COVID-19. Qëllimi është arritja e një rritje ekonomike më të qëndrueshme dhe sipas të gjitha teorive komplotiste, pas saj fshihen të njëjtit emra, Bill Gates, David Rokfeler apo francezi Jacques Attali.

Kjo është teza kryesore e një dokumentarit “Hold up” (gati 3 orë) që ka dalë të mërkurën e javës së kaluar në Francë dhe që po intrigon fansat e konspiracionit në rrjetet sociale.

Dokumentari i ripostuar edhe nga personazhe shumë të njohur ka si qëllim të alarmojë, të ndërgjegjësojë dhe të informojë njerëzit për ata çka po ndodh pas shpinës së tyre.

“Eshtë një plan i kalkuluar me shumë kujdes” thotë një nga produktorët e dokumentarit, Christophe Cossé. Mendimin e tij të qartë për atë që po ndodh Cosse e ka shprehur në një shkrim përpara disa kohëve, i cili pretendon se gjithçka po bëhet për vaksinimin masiv dhe kontrollin dixhital të popullsisë duke shfrytëzuar një virus jo shumë më të rrezikshëm se COVID-et e tjerë sezonalë.

Dhe për të mbështetur këto teza, dokumentari bën një skanim të imtësishëm të gafave që kanë bërë politikanët, të mendimeve shpesh kontradiktore që kanë shfaqur shkencëtarët.

“Futi një njeriu frikën e vdekjes dhe më pas me të mund të bësh çfarë të duash”, thotë njëri nga të 37 intervistuarit e dokumentarit, midis të cilëve gjenden edhe aso me çmime Nobel, politikanë, mjekë infektologë, antropologë dhe infermirë.

Sociologja Monique Pinçon-Charlot, e cila njihet për kërkimet e saj mbi temën e borgjezisë së sipërme, kritikon ligjërimin e “frikës” të përcjellë nga media dhe madje shkon aq larg sa të flasë për një “luftë të tretë” botërore dhe një “holokaust që synon zhdukjen e pjesës më të varfër të njerëzimit, sepse të pasurit nuk kanë më nevojë për ta”.

Duke parë kuriozitetin e madh që ka ngjallur ky dokumentar, i cili tani për tani mund të shikohet pa pagesë në rrjetet sociale (por vetëm në frengjisht), mediat e mëdha i janë futur punës për diskreditimin e tij. Ato janë mbushur plot me shkrime ‘fact check’ që diskrditojë mënyrën e tij të shikimit. Gazeta e madhe franceze, Liberation, që i kushtoi të premten faqen e saj të parë këtij filmi, e masakronte atë në qëndrimin e saj editorial. Ajo i konsideronte të gjitha gafat, kundërshtitë dhe gënjeshtart e politikanëve dhe shkencarëve si gabime njerzore dhe jo si grimca të një plani të madh.

“Në fakt, ky dokumentar është një rast i vërtetë që duhet studiuar nga politikanët. Ai tregon se si strategjia jokonsistente dhe komunikimi i dobët mund të përdoret në kurriz të prodhimit të së kundërtës së tyre dhe të shkaktojë turbulli e paranojë në opinionin publik”, nënvizonte Liberation.