Kontrolli i hershëm i kolesterinës në gjak eviton sëmundjet e zemrës në pleqëri

Për të parandaluar problemet e zemrës në moshën e shtyrë, njerëzit duhet të kontrollojnë nivelin e kolesterinës së keqe në gjak që në moshën e hershme, shkruan CNN

Studimi i publikuar në revistën mjekësore “Lancet”, është një nga studimet më të mira, që është bërë për të përcaktuar lidhshmërinë e kolesterinës dhe sëmundjeve të zemrës.

Ky studim ka vëzhguar më shumë se 400.000 persona për 13 vite. Ata kanë qenë të moshës 30 dhe 85 vjeç, dhe vinin nga 19 shtete të ndryshme.

Duke iu referuar këtyre informacioneve, grupi i personave, të cilët ishin më së shumti të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare, ishin ata më të rinj se mosha 45 vjeç. Sipas studimit, personat nën moshën 45 vjeç, që kishin sasi të kolesterinës së keqe në gjak ishin më të rrezikuar që në moshën e shtyrë të preken nga sulmet apo sëmundjet e zemrës.

Ekspozimi ndaj ushqimeve, që përmbajnë sasi të lartë të yndyrës është një faktor, i cili ka ndikuar në rritjen e këtij problemi.

Këta shkencëtarë kanë këshilluar të gjithë personat, që të ndërrojnë stilin e jetesës që nga mosha e hershme. Sipas tyre është e domosdoshme që njerëzit të mos shtojnë peshë, të ushtrojnë 30 minuta në ditë, të mos konsumojnë alkool dhe duhan si dhe të konsumojnë ushqime të shëndetshme, në mënyrë që të parandalojnë rritjen e nivelit të kolesterinës dhe sëmundjeve të tjera të zemrës.