Koronavirusi/ Quni viziton Regjimentin e Tretë të Forcave Tokësore

Pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe me qëllim të informimit nga afër me nivelin e gatishmërisë operacionale të njësiteve të angazhuara në Forcën për Detyrë, sot ministri i Mbrojtjes Anton Quni ka vizituar Regjimentin e Tretë të Forcave Tokësore në Mitrovicë.

Me këtë rast, zëvendës komandanti i Regjimentit të Tretë, nënkolonel Avni Kiçina, njoftoi ministrin Quni me planin e gatishmërisë dhe nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve dhe mbështetjes logjistike të regjimentit.

Ministri Quni inkurajoi pjesëtarët e këtij regjimenti për përgatitjet e duhura për mbështetjen e plotë ushtarake për autoritetet civile dhe qytetarëve në përballje me gjendjen aktuale që po kalon vendi.

Në këtë rrethanë të jashtëzakonshme, ku është me rëndësi jetike shëndeti i qytetarëve, ministri Quni theksoi domosdoshmërinë që FSK të jetë e gatshme t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe gjithmonë në koordinim të plotë me KFOR-in.

“Menaxhimi me sukses i kësaj situate është edhe një provë konkrete se FSK dhe Kosova po tregojnë pjekurinë e duhur institucionale dhe shtetërore që të jenë pjesë e NATO-s”, tha ai.