KOSOVA, A PO BËHET LODËR E GJEOPOLITIKËS SË RE RAJONALE?

Kritikuesit e këtij dokumenti, të cilët nuk janë vetëm në radhët e opozitës kosovare, por edhe në mesin e diplomatëve e ekspertëve ndërkombëtarë, shtrojnë një varg dilemash e pikëpyetjesh. Emërues i përbashkët e këtyre dilemave është shqetësimi që lidhet me vendosjen e Kosovës dhe Serbisë në pozita të pabarabarta, sidomos sa i përket (mos)njohjes së Kosovës nga Serbia , e cila në diskursin e Washingtonitzyrtar është zëvendësuar me çështjet e progresit ekonomik për të dyja vendet. Por gjërat nuk janë aq të thjeshta sa herë që problemet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë mundohemi t’i trajtojmë me terapi ekonomike

Nga Mehmet PRISHTINA

Të premten në Washington (4 shtator) dy delegacione nga Prishtina dhe Beogradi, pa atributin shtetëror, në praninë e Presidentit Amerikan Donald Trump, morën pjesë në ceremominë e nënshkrimi të një dokumenti që ka për synim parësor normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pikat kryesore të përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar nga pala kosovare dhe ajo serbe në Uashington: Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020 ; Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik; Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto: Autostradën e paqes, Lidhjen Hekurudhore Prishtinë-Merdare, Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë, Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Projekte shtesë dypalëshe, Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar; Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare; Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo; Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës; Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjis; Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë; Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur; Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuarsistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP; Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush; Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit; Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë; Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahunorganizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre; Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë; Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

(Pa)qartësitë që lidhen me vijat ndarëse në mes të Kosovës dhe Serbisë

Ky dokument që po shikohet nga këndvështrime dhe pozicione të ndryshme, për një kohë të gjatë do të vazhdojë të prodhoj debat politik jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj.
Ngjashëm si gotën me ujë që e shikojnë pesimistët dhe optimistët, edhe ky dokument do të përjetojë kritika dhe përkrahje nga faktorë të ndryshëm politik, të cilët edhe me këtë rast do të tregojnë një diskordancë të theksuar, siç kanë vepruar edhe në të kaluarën. Mungesa e një koncenzusi të nevojshëm, ka bërë që elita politike e Prishtinës të fus në lajthitje edhe diplomatët e huaj dhe për pasojë na servohen edhe dokumente të tilla, si ky i fundit në Washington, ku përpos që kishte munguar paraprakisht transparenca e plotë, në anën tjetër delegacioni i Kosovës kishte shkuar pa një platformë të qartë se deri ku janë kufijtë e tolerancës ndaj ambicieve serbe.
Prandaj, jo rastësisht në media qarkullonin informacione që bënin fjalë vetëm për kushtëzimet e delegacionit serb, i cili në momentin fundit kishte kërkuar që të hiqet pika 10 që kërkonte njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë mes Serbisë dhe Kosovës, në prani të vetë presidentit Donald Trump, ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare.
Jo pak media dhe analistë, këtë dokument madje janë të prirur ta shohin në kontekstin e fushatës presidenciale të Donald Trump.

“Një nga qëllimet e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington ishte që të ndihmojë presidentin Donald Trump në fushatën për zgjedhjet e nëntorit”, shkruante gazeta prestigjizeaustriake “Die Presse”, e cila shkruan mes të tjerash vë në dukje se amerikanët kishin futur në dokument edhe fjalinë për “njohje reciproke” mes Kosovës dhe Serbisë, por një gjë e tillë është fshirë.

“Për Trump, i cili po ashtu njoftoi njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem, nuk është vendimtare aq shumë përmbajtja e saktë e marrëveshjes sesa ‘municioni’ për fushatën zgjedhore ndërkohë që interesi i ri i SHBA për projektin në ndërtim të Kosovës mund të zbehet përsëri: pas zgjedhjeve në SHBA, BE me sa duket do të luajë përsëri rolin e ndërmjetësit pa mirënjohje, në dialogun e ashpër mes fqinjëve të padëshirueshëm”, konstantonte ditëve të fundit “Die Presse”, e Vjenës.

Kontributi amerikan në çështjen e Kosovës, gjithmonë ka qenë domethënës dhe madje vendimtar. Ky kontribut, shumë më i avancuar se angazhimet diplomatike të Brukselit, ka bërë një ndarje të qartë në mes të zonave të interesit, ku Perëndimi përmes intervenimit në Kosovë ka dërguar sinjal të qartë se kjo pjesë e rajonit asnjëherë nuk mund të jetë zonë gri e interesave ruso-kineze. Në këtë aspekt, kanë qenë shqiptarët ata të cilët e kanë përforcuar këtë diskurs gjeopolitik Perendimor, ku amerikanët gjithmonë shihen si miqtë më të respektuar dhe më të dashur.

Një moment i veçantë i këtij takimi në Washington, gjithsesi paraqet njohja e pavarësisë së Kosovës nga e Izraelit, që do të pasohet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të tëdyja vendeve. Ky moment fuqizon pozicionin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe konfirmon lidhjet historike në mes të popullit shqiptar dhe popullit hebre.
Në komunikimet e ardhshme diplomatike, Kosova urgjentisht duhet të angazhohet në heqjen e atributeve që e definojnë atë si “shtet mysliman”, për arsye se një atribut i tillë jo vetëm që është i pasaktë, por si i tillë mund të prodhojë kontraverza të shumta në të ardhmen.

Kjo fazë e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas dokumentit të Washingtonit, duhet fillimisht të kalojë nëpër autostrada, hekurudha, Ujmana dhe tek pastaj kur të piqen kushtet, këto dy shtete që nuk e njohin ende njëra tjetrën, më saktë Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të kalojnë nëpër terrenin e vështirë të politikës. Tani për tani asgjë nuk thuhet se sa do të zgjasë kjo fazë pritjeje, por sigurisht shumë çka do të varet edhe nga bisedimet në Bruksel. Rrugëtimi drejt BE-së do të duhej të ishte preokupim i përbashkët e të dyja vendeve – Kosovës dhe Serbisë, mirëpo ende janë të paqarta metodologjitë që duhet ndjekur këto vende, të cilat ndodhen në pozicione të kundërta për sa i përket marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Në shikim të parë, Serbia ka nevojë më tepër për Kosovën që ta heqë qafe si problem në procesin eurointegrues, por në anën tjetër ende nuk e kemi një artikulim të qartë, si në Bruksel si në Washington, se kush i vetëm i Serbisë për të qenë një anëtar i denjë i BE-së, është njohja e Kosovës si shtet i pavarur.

Pavarësia, moratoriumi…

Gjithçka tjetër që nuk përfshin pavarësinë e Kosovës, është blerje kohe, kurse ata që do të mundohen t’ia shtojnë koston kësaj kohe do të duhej të jenë më të qartë në qëndrimet dhe politikat që vet i kanë miratuar në nivel të piramidës më të lartë të BE-së. Ata gjithsesi do të duhej të demonstrojnë edhe një minium ndjeshmëri ndaj pozicionit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, e cila do të mund të konsiderohej pjesë e interesimeve evropiane vetëm nëse shtetet e BE-së fillojnë me liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, pa patur nevojë të ndjehen të frustruar kundrejt finjëve të tyre, të cilët tash më janë të lirë të lëviznin lirshëm pa viza në të gjitha vendet e BE-së

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të ketë kuptim vetëm kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga çfarëdo aspirate apo ideje që synon të cenojë sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin e Republikës së Kosovës. Mirëpo kjo nuk mjafton, nëse mbi Serbinë nuk ushtrohet trysni, duke kushtëzuar procesin eurointegrues me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dokumenti i nënshkruar në Washington, i cili gabimisht po quhet marrëveshje, do ta ketë peshën dhe valorizimin kuptimplotë vetëm atëherë kur do të shohim se situata në terren ka prodhuar efekte pozitive, kurse periudha njëvjeçare e moratoriumit do të kalojë në një fazë të re njohjesh të shtetësisë së Kosovës. Nëse kosovarët nuk bashkëjetojnë me frytet e kësaj faze dhe nëse Serbia nuk heq dorë përfundimisht nga projektet grabitqare kundrejt pavarësisë së Kosovës, atëherë ky dokument i shoqëruar edhe me komponentët e zhvillimit ekonomik (mini-shengeni), infrastrukturor e energjetik do të jetë vetëm një kujtim pa kornizë, i mbetur diku në arkivat e kohës.

Ujmani, burim energjie apo paqartësie?!

Një prej pikave më të diskutuara të këtij dokumenti vazhdon të jetë Liqeni i Ujmanit, me ç’rast parashihet hartimi i një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë. Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Hidrocentrali prodhon 35 megavat për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër-Lepenc është 49 kilometra i gjatë dhe është ndërtuar me fonde të buxhetit të Kosovës. Kanali Ibër – Lepenci kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, duke kaluar nëpër 33 vendbanime rurale dhe dy qytete.

Ky liqe menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Mbi rëndësinë e këtij sistemi hidro-energjetik, kanë folur ekspertë të ndyrshëm të fushës, kurse kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Berat Lushtaku, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, është shprehur se Liqeni i Ujmanit është shprehur se në pronësi të Ibër-Lepencit edhe në pjesën e Kosovës dhe pjesën e Republikës, dhe për këtë thotë ai, ekzistojnë dokumentet e nevojshme.

“Ne do të marrim të gjitha vendimet me Bordin e drejtorëve dhe do të dalim me një konkluzion konkret sa i përket kësaj çështjeje. Aksionar 100 për qind është Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ata i kanë të drejtat mbi ne”, tha Lushtaku. Ky liqe artificial furnizon me ujë të pijshëm ujësjellësin e Mitrovicës dhe atë Prishtinës. Kurse, me ujë të papërpunuar, thotë Lushtaku, furnizon Korporatën Energjetike të Kosovës dhe kompaninë NewCo Ferronikeli, që gjendet në Drenas, si dhe për ujitje në disa rajone të Kosovës.

Ndryshe, pjesëmarrësit në ekipin e ndërtimit të këtij liqeni, e quajnë absurde marrëveshjen, ku thuhet për “përdorim të përbashkët të Liqenit”.

Halim Gjergjizi, i cili ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta, thotë se ky projekt në atë kohë është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova. Ai thotë se liqeni është ndërtuar për nevojat e qytetarëve të Kosovës.
“Është absurde që paraqitet edhe një palë tjetër, çfarë është Serbia. Me gjithë dokumentet, gjithë historinë e ndërtimit të atij kapaciteti, Serbia nuk ka kurrfarë të drejte të shfrytëzimit ose të menaxhimit të atij sistemi. Ndoshta, do të ketë sqarime më vonë lidhur me këtë marrëveshje, por tash për tash është absurde. Uji nuk mund të shkojë në Serbi për shfrytëzim. Serbia nuk mund të shfrytëzojë ujin në mënyrë të përbashkët, ai është i dedikuar për nevoja të Kosovës”, tha Gjergjizi për Radion Evropa e Lirë.

Absurditeti tjetër lidhet me faktin se në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002 dhe që Kosovën e konsideron të paligjshme. Kjo ka qenë edhe arsyeja që viteve të fundit, zyrtarët nga Beogradi nuk i kanë fshehur pretendimet e tyre mbi Liqenin e Ujmanit. Këto pretendime nuk ishin vetëm fjalë në erë, pasi që më 8 shtator 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e vizitës së Liqenit të Ujmanit, kishte thënë se “Ujmaniështë një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët“. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët. Sipas tij Liqeni i Ujmanit, ishte cilësuar si burim dhe pasuri ekonomike serbe.

Çfarë (pa)perspektive ofron dokumenti i Washingtonit?

Kritikuesit e këtij dokumenti, të cilët nuk janë vetëm në radhët e opozitës kosovare, por edhe në mesin e diplomatëve e ekspertëve ndërkombëtarë, shtrojnë një varg dilemash e pikëpyetjesh. Emërues i përbashkët e këtyre dilemave është shqetësimi që lidhet me vendosjen e Kosovës dhe Serbisë në pozita të pabarabarta, sidomos sa i përket (mos)njohjes së Kosovës nga Serbia , e cila në diskursin e Washingtonit zyrtar është zëvendësuar me çështjet e progresit ekonomik për të dyja vendet.
Por gjërat nuk janë aq të thjeshta sa herë që problemet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë mundohemi t’i trajtojmë me terapi ekonomike. Askush nuk i mohon përparësitë që ka zhvillimi ekonomik për një vend, por pengesa kryesore për rritje ekonomike është fakti, që Kosova nuk ka shënuar kurrfarë progresi në drejtim të BE, një argument i mjaftueshëm për investitorët për të hequr Kosovën nga hartat e tyre të interesimit. Nëse në anë njërën hiqen barrierat ekonomike në rajon, dhe në anën tjetër Kosova shënon deficit të theksuar tregtar, atëherë e vetmja përfituese e kësaj anomalie është Serbia, e cila nga një agresor gjakatar po shndërrohet në faktor ekonomik e politik rajonal.
Nëse nuk rrumbullakohet procesi i njohjeve nga të gjitha vendet e BE-së, përfshi edhe katër shtetet Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, atëherë Kosova mund të futet në një ‘ciklon’ pasigurie , kurse ombrella më e sigurt është NATO. Por, të jesh anëtar i NATOs, i bie që të jesh shtet i njohur nga të gjithë shtetet-anëtare të BE-së, hendikep ky që aktualisht po e përcjell Kosovën.

Deri më tani, askush në Bruksel dhe në Washington, nuk ka kërkuar me këmbëngulje nga këto katër shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës, kurse e vetmja përfituese nga kjo amulli pasigurie është Serbia, në pozitën e satelitit të Rusisë.
Do të duhej të dëgjojmë argumente të forta se pse mungon kjo këmbëngulje, por ajo që duket tepër e qartë është se hallkat e sigurisë kolektive në Evropë dhe në rajon mund të shkëputen pikërisht në Kosovë, nëse ky vend nuk bëhet anëtar i NATO-s në një të ardhme të afërt.

Politika aktuale e Serbisë kundrejt Kosovës është në instancë të fundit destabilizuese (si në planin e brendshëm përmes projekteve dezintegruese, ashtu edhe në atë të jashtëm duke penguar integrimin e Kosovës në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare), edhe për faktin se vetëm Serbisë nuk i konvenon të qenit e Kosovës pjesë e NATO-s, andaj gjen një mijë një arsye për ta bllokuar këtë proces.

Kosova ka shumë arsye të ndjehet e kënaqur që ka një partner strategjik siç është Amerika, por a do të mjaftojë kjo ndjesi nëse Serbia vazhdon të trajtohet si një fëmijë i lazdruar, të cilës duhet dhënë më shumë lodra për ta qetësuar dhe për ta larguar sa më shumë nga Rusia.

Kosova sigurisht nuk është lodra e radhës?!

Prishtinë, 7 shtator 2020