Kosova e quan politizim të UNESCO-s regjistrimin e lahutës nga Serbia

Tek pasi janë bërë më shumë se dhjetë ditë prej se “Të kënduarit me gusle” në emër të Serbisë është regjistruar në UNESCO, kundër këtij vendimi janë aktivizuar institucionet e Kosovës. Të hënën nga Kuvendi i Kosovës është paralajmëruar një reagim i tillë, e po të njëjtën gjë, nëpërmjet rrjeteve sociale, e ka bërë edhe Ministria e Punëve të Jashtme, sipas së cilës “politizimi i UNESCO-s duhet të marrë fund”.

Kryetari i Komisionit parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sporte, inovacion dhe ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, ka propozuar gjatë mbledhjes që në emër të Komisionit t’i shkruajnë një letër UNESCO-s. Propozimi i tij ka marrë përkrahjen e të gjithë anëtarëve të Komisionit. Kurteshi gjatë këtij takimi ka bërë të ditur se kjo letër do të dërgohet pas datës 13 të këtij muaji nëpërmjet së cilës do të shprehen pakënaqësitë e palës kosovare, duke e cilësuar si vendim të padrejtë. Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet një postimi në faqen e vet zyrtare në Twitter, e ka cilësuar si politik vendimin e UNESCO-s. Dosjen për futjen e të kënduarit në shoqërimin e instrumentit me një tel Serbia e ka përgatitur qysh më 2016. Miratimi i propozimit është marrë pas sesionit të trembëdhjetë të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme që u mbajt në Port Louis, Republika e Mauritit, prej 26 nëntorit deri më 1 dhjetor 2018, në Qendrën Ndërkombëtare të Konventës Swami Vivekanada. Aty u vendos që “të kënduarit nën shoqërimin e lahutës” të merret nën mbrojtje. Gjatë gjashtë ditëve shtetet anëtare të Komitetit, të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Konventës së vitit 2003, kanë diskutuar një numër çështjesh që janë të rëndësishme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Në këtë rast agjenda e takimit përfshinte çështjen e listave që çoi edhe në zgjerimin asaj të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Sipas Kurteshit, për letrën që do t’ia dërgojnë UNESCO-s paraprakisht do të duhet të konsultohen për informata shtesë me Departamentin për Trashëgimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në mënyrë që ajo të jetë sa më përmbajtjesore dhe me argumente.

Qysh më 2006, katër monumente të Kosovës janë regjistruar në UNESCO në emër të Serbisë. Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Kisha e Shën Premtes në Deçan dhe Manastiri i Graçanicës janë në Listën e trashëgimisë kulturore në rrezik.