Kosova luan kundër Maqedonisë së Veriut me VAR

UEFA ka vendosur që sistemi VAR të përdoret në ndeshjet e “Play-Offit” të Ligës së Kombeve, të cilat do të luhen në muajin mars 2020. Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parë ndonjëherë me sistemin VAR

Në fakt, Federata Evropiane e Futbollit – UEFA ka vendosur që në ndeshjet e “Play-Offit” të Ligës së Kombeve, të cilat do të luhen në muajin mars të vitit 2020, të përdoret sistemi tashmë i famshëm VAR, i cili i korrigjon gabimet e referëve.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është pajtuar që ta përdorë sistemin VAR në Play-Offin e ardhshëm për kualifikim në Evropian, që mbahet në muajin mars 2020, por edhe në kualifikimet evropiane për Botërorin e ardhshëm, lëndë e cila do të aprovohet nga FIFA dikur më vonë”, njofton shtëpia e futbollit evropian.

Kosova do ta kërkojë kualifikimin në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve.

“Dardanët” shpresojnë ta mposhtin Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të “Play-Offit” dhe më pas ta fitojnë edhe finalen, kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.