Kosova pa dy lojtarë kyç në ndeshjet vendimtare

Në përbërjen më të fortë të mundshme aktuale të Kosovës, Valon Berisha e Hekuran Kryeziu vlerësohen të padiskutueshëm për qendrën e mesfushës. Përfaqësuesja e Kosovës ishte pa Berishën në ndeshjet e muajit të kaluar, ndërsa do të jetë pa të e pa Kryeziun të paktën edhe në ndeshjet e qershorit. Madje pa Hekuran Kryeziun, balancuesin e lojës së Kosovës, Përfaqësuesja do të jetë shumë më gjatë.

Kryeziu të shtunën ka këputur ligamentin krucial në gjurin e majtë dhe do të pushojë prej gjashtë deri në nëntë muaj. Kështu ai rrezikon të mbetet jashtë Përfaqësueses për të gjitha ndeshjet e mbetura në kualifikimet për “Euro 2020”. Më 17 nëntor Kosova e luan ndeshjen e fundit kualifikuese, ndaj Anglisë në Prishtinë

“Mesfushori i Zuerichut, Hekuran Kryeziu, është dashur të zëvendësohet në minutën e 15-të në ndeshjen ndaj Luganos, për shkak të një lëndimi. Ekzaminimet mjekësore kanë treguar se 26-vjeçari ka këputur ligamentin krucial në gjurin e tij të majtë dhe duhet t’i nënshtrohet operimit. Kryeziu pritet të mungojë për klubin e qytetit prej gjashtë deri në nëntë muaj”, thuhet në njoftimin që të dielën ka lëshuar klubi zviceran Zuerich.