Kosovarët kanë mbi 3 miliardë euro të kursyera në banka

Ndonëse të papunë e me shkallë të lartë të varfërisë, kosovarët kanë së paku 3 miliardë e gjysmë euro kursime në bankat e vendit.

Kështu ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës. Ndryshe nga vitit 2017 ku kjo vlerë ishte mbi pak 3 miliardë euro.

“Vlera e depozitave në vitin 2018 ishte 3 miliardë e 364 milionë euro, në vitin 2017 vlera e depozitave ishte 3 miliardë e 94 milionë euro, kurse në vitin 2016, vlera e depozitave ishte 2 miliardë e 897 milionë euro”, ka thënë Ahmeti.

E zëdhënësi i BQK-së ka thënë gjithashtu se mbi 2 miliardë euro ishin depozita të ekonomive familjare.

“Vlera e depozitave të ndërmarrjeve në vitin 2018, ishte 710.5 milionë euro, përderisa në vitin 2017 vlera e depozitave për këtë sektor ishte 176 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 ishte 141.5 milionë euro. Sa i përket depozitave të ekonomive familjare, në vitin 2018 ishte 2 miliardë e 326 milionë euro, më 2017, 2 miliardë e 164 milionë euro dhe në vitin 2016 ishte 2 miliardë e 120 milionë euro”, ka shtuar Ahmeti.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit ka thënë për arbresh.info se mund të ekzistojnë dy opsione  për këtë rritje të depozitave. Sipas tij opsioni i parë është rritja e besimit në banka.

“Depozitat në Kosovë vazhdimisht janë në rritje dhe kështu nëse i shohim në aspektin pozitiv kjo tregon se qytetarët kanë rrit besueshmërinë nëpër institucionet financiare dhe bankat komerciale për t’i depozituar mjetet e tyre që i kanë mbajtur në shtëpi”, ka thënë ai.

Ndërsa opsioni i dytë është dyshimi se të kujt janë këto para nëse nuk ka rënie të investimeve e punësimit.