Krasniqi: Rusët dhe kinezët e dinë se si janë ndarë me shqiptarët

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se forcat ogurzeza kudo që shfaqen, në Beograd, Moskë a Pekin, duhet ta dinë, se shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë e nuk do të jenë kurrë pushtues, por ky fakt nuk do t’i shmangë në asnjë kohë për ta mbrojtur shtetin e tyre të fituar me sakrifica të shumta.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Si po shkruajnë mediet sot, më 23 nëntor 2018, shovinistet rus të instaluar në MJR, qenkan vërë më të katër këmbët në mbrojtje të banditëve serb që para do kohe e patën vrarë politikanin serb Oliver Jovanoviq. Se ruset janë shovinist nuk ka asnjë dyshim, pasi për ketë fenomen para një shekulli pat shkruar edhe V. I. Lenini, i cili pat thënë: “Po ta gërvishtesh komunistin rus, del shovinisti rusomadh”. Ketë konstatim të Leninit e ka konfirmuar dhe e konfirmon e gjithë historia e tyre, sidomos ajo e pas viteve të ‘50-ta kur u munduan të ngulnin këmbë edhe në Shqipëri siç bënë në Hungari e Çekosllovaki, por nga Shqipëria dolën “me bisht nën shalë”. Në fund të shekullit XX edhe nga Kosova, po ata banditë që po i mbrojnë sot qenë detyruar të ikin në të njëjtën mënyrë.

Ruset dhe të gjithë ata që i mbështesin kriminelët, qofshin ata edhe kinezët, duhet ta dinë se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik dhe policia jonë dhe në koftë nevoja i gjithë kombi ynë do të behën ushtarë në mbrojtje të atdheut!

Nëse është e saktë kjo që thonë mediet, ruset dhe kushdo tjetër duhet ta dinë se shqiptarët e forca e sigurisë së tyre, nuk janë forca pushtuese, por forca që garantojnë rend e siguri për çdo qytetar të Kosovës. Kësaj radhe ishin në mbrojtje të qytetarëve serbë te Kosovës. Ne, në Kosovë, nuk jemi as serbe e as rusë që pushtojmë toka të huaja, por i mbrojmë trojet tona dhe do t’i mbrojmë në çdo kohë dhe kundër kujtdo.

Natyrisht ne na vije keq pse një shtet i madh siç është Rusia, i cili do të duhej të ishte në shërbim të paqes në nivel global u del në krah banditëve ordinerë që kanë vrarë bashkëkombësin e tyre?! Ministria e Jashtme Ruse paska deklaruar: “Ne e konsiderojmë pushtimin nga forcat speciale kosovare të pjesës së popullsisë serbe të Mitrovicës në mëngjesin e 23 nëntorit si një provokim i radhës nga Prishtina me qëllim të shtypjes së serbëve të Kosovës nga provinca… Ne e dënojmë fuqishëm eskalimin e konflikti nga ana e Prishtinës”.

Këto forca ogurzeza kudo që shfaqen, në Beograd, Moskë a Pekin duhet ta dinë, se shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë e nuk do të jenë kurrë pushtues, por ky fakt nuk do t’i shmangë në asnjë kohë për ta mbrojtur shtetin e tyre të fituar me sakrifica të shumta!

Ne jemi të bindur, se të dy shtetet e mëdha që qenkan verë në mbrojtje të banditëve e dinë dhe e dinë mirë se shqiptarët në kohë të largëta, në kohën e Skënderbeut kanë luftuar me Perandorin Osmane dhe kanë fituar, në shekullin XX, ata e kanë të freskët sesi janë ndarë me Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Veç këtyre që u thanë, ata duhet ta dinë se në mileniumin e ri, shqiptarët kanë krijuar miqësi të reja dhe janë në mbrojtje të sigurisë në nivelin Global.