Kundërkorrupsioni gjen shkelje në tenderin 6-milionësh të KEK-ut

Agjencia Kundër Korrupsionit i ka kërkuar Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që të eliminojë shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik, në tenderin me titull “Furnizim me zbara për statorë të gjeneratorëve G1 dhe G2”, vlera e të cilit është 6 milionë euro.

Sipas Kundërkorrupsionit, në njoftimin për kontratë të këtij tenderi KEK-u ka shkelur nenin 7, nenin 27, dhe nenin 69 të Ligjit të Prokurimit Publik, si dhe nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik

Në nenin 7 të ligjit flitet për barazinë në trajtim dhe jodiskriminim, në nenin 27 flitet për dosjen e tenderit, në nenin 69 për aftësinë teknike dhe ose profesionale, ndërkohë që në nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik janë të përcaktuara kriteret e përzgjedhjes që mund të përdorën nga autoriteti kontraktues.

Në opinionin e Kundërkorrupsionit është kërkuar nga KEK-u që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme drejt evitimit të shkeljeve të evidentuara në lidhje me këtë tender, siç thuhet, në mënyrë që të respektohen dispozitat përkatëse të Ligjit të Prokurimit Publik.