Kurti takon Pllenkoviqin, merr mbështetjen kroate për liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të shtunën në Munih homologun e tij kroat, Andrej Pllenkoviq.

Siç raporton “Total-Croatia-News”, gjatë këtij takimi, Pllenkoviqi i ka thënë Kurtit se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën të afrohet me BE-në, sikurse edhe për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti, e uruam për marrjen e detyrës dhe e njoftuam me prioritetet e BE-së gjatë kryesimit të Kroacisë, në mesin e të cilave është vazhdimi i dinamikës së zgjerimit të BE-së si dhe mbajtja e Samitit të Zagrebit”, tha Pllenkoviqi në një postim në Twitter.

Kurti ndërkaq, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar shkurtimisht se ka takuar liderë të vendeve të rajonit, si atë të Sllovenisë, Sllovakisë, Kroacisë e të Maqedonisë së Veriut, por pa dhënë detaje.

Kurse, në një postim të vonshëm mbrëmë, Kurti ka njoftuar se ka takuar edhe diplomatin e lartë amerikan, Philip Reeker.

“Ishte kënaqësi të takoja diplomatin e lartë amerikan, Philip T. Reeker, i cili e njeh shumë mirë Ballkanin Perëndimor. Po ashtu takova edhe anëtarë të Parlamentit gjerman, Peter Beyerin dhe Christian Schmidtin. Në Konferencën për Siguri në Munih theksova se Kosova ka nevojë për këshilla dhe asistencë për të ofruar vende pune dhe drejtësi”, shkroi Kurti

Ndërkaq, gjatë qëndrimit të në Munih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, Pllenkoviqi tha se është i kënaqur me “evoluimin” e qëndrimit të Francës rreth zgjerimit të BE-së dhe se e ardhmja e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është e mirë.

Duke folur para gazetarëve në margjina të konferencës së Munihut, Pllenkoviqi tha se “qëndrimi i Francës ka evoluuar”.

“Nuk pres që Franca të bllokojë hapjen e negociatave tani që metodologjia ka ndryshuar. Duhen bërë edhe bisedime shtesë me dy vendet tjera (Danimarkën dhe Holandën” që kishin rezerva dhe mendoj se jemi duke shkuar në drejtim të duhur”, tha Pllenkoviqi, vendi i të cilit kryeson BE-në në pjesën e parë të 2020-ës.

Kryeministri kroat pret që BE-ja të aprovojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Zagreb më 6 dhe 7 maj.