Kush ishte Kujtim Paçaku: Arsimtari, aktori, poeti dhe ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës

​I lindur në mars të 1959, në Prizren, Kujtim Pacaku kreu studimet e degës së Muzikës në Akademinë e Arteve, dhe ato postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore, për tu bërë më vonë edhe nxënës në klasën e legjendës së filmit Faruk Begollit, në Akademinë për Aktrim dhe Regji.
Ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës, për disa mandate, që të enjten ndërroi jetë në moshën 59 vjeçare, po ashtu kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris.

Por, para se të merret me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Pacaku punoi si arsimtarë në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte.

Pas luftës, Pacaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për kësi lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë.

Ish-deputeti tashmë i ndjerë u morr edhe me shkrime letrare e poezi, duke botuar edhe libra.

Lajmin për vdekjen e Kujtim Pacakut e dha të enjten kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.