Lajme të këqija nga Milot Rashica!

Drejtuesit e Werder Bremenit po brengosen për gjendjen shëndetësore të futbollistit kosovar
Paraqitja e Milot Rashicës këtë fundjavë në fanellën e Werder Bremenit është vënë në dyshim

Futbollisti kosovar ka probleme me shpinën dhe me këtë rast pjesëmarrja e tij në ndeshjen me Hertha Berlinin të shtunën që vjen është në pikëpyetje.

Sipas mediave gjermane, përfaqësuesi kosovar kishte dhimbje të vazhdueshme në shpinë në javët e fundit, prandaj nuk dihet nëse trajneri i tij do të rrezikojë apo jo vikendin që vjen.

Drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann thotë se për Rashicën gjithçka do të vendoset të enjten ose të premten.

“Për momentin është e paqartë nëse Miloti do të luajë”, ka thënë fillimisht ai.

“Ai kishte probleme në 2-3 javët e fundit. Ne e duam atë të shëruar plotësisht nga lëndimi. Ndër të tjera, duhet ta shohim nëse ia vlen të rrezikojmë apo jo. Vendimi final do të merret të enjten, maksimum të premten”, ka thënë tutje Baumann.

Për herë të parë, Rashica kishte ndier dhimbje në shpinë në ndeshje me Hannoverin.

Ai ndiente dhimbje edhe gjatë seancave stërvitore.

“Ai nuk është gati plotësisht, sepse dhimbjet e kanë munduar kohë pas kohe. Ne duam ta kemi në dispozicion më gjatë Milotin, e jo vetëm 30 minuta. Nëse jo këtë fundjavë, ai do të jetë gjithsesi me ne pas një jave”, shtoi më tej Baumann.

Rashica shënoi dy gola ndaj Augsburgut fundjavën që shkoi, por për shkak të dhimbjeve në shpinë u detyrua të largohej nga loja në minutën e 36-të për shkak të dhimbjeve në shpinë.

Përkundër lëndimit, futbollisti vushtrrias mori pjesë në stërvitjen e së mërkurës, por bëri ushtrime të lehta.

“Miloti luajti mjaft mirë kundër Augsburgut, shënoi dy gola të bukur dhe natyrisht ishte i dëshpëruar që iu desh ta linte fushën e blertë. Por, ai kishte dhimbje, nuk mund të vazhdonte më”, përfundoi Baumann.

Rashica është lojtari më i mirë i Werderit në vitin 2019.

Ai ka realizuar katër gola sivjet dhe është shënuesi më i mirë i ekipit të tij në vitin e ri.