LDK e voton në Kuvend propozimin e Presidentit, ashtu siç ka kërkuar edhe Isa Mustafa

Dy partnerët e koalicionit, Vetëvendosje dhe LDK, duket se prapë do të kenë mosmarrëveshje.Këtë herë për propozimin e presidentit Hashim Thaçi që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, koronavirus.

Vetëvendosje është kundër kësaj mase që po e konsideron ekstreme, ndërsa nga LDK-ja ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me dekretin e presidentit.

GazetaBlic, ka kontaktuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, për të marrë qëndrimin e LDK-së, lidhur me këtë çështje, por i njëjti tha se nuk ka përgjigje.“Nuk kam përgjigje për këtë çështje”, tha Veliu.

Por burime, bëjnë të ditur se ata do të votojnë pro propozimit të presidentit Thaçi i cili pritet që shumë shpejtë të mbërrijë në Kuvend për votim.

“LDK-ja do ta voton propozimin e presidentit”, tha ky burim.

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu mbrëmë ka reaguar menjëherë pas kundërshtimit të qeverisë Kurti për mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Veliu ka kundërshtuar zëvendësin e Kurtit, Haki Abazi i cili në një konferencë për media përcolli qëndrimet e kryeministrit Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme Veliu tha se gjendja është e rëndë në Kosovë dhe se duhet të shpallet e jashtëzakonshme.

“Pikë së pari qeveria nuk ka mbajtur mbledhje që të vendos për këtë çështje, sot është mbajtue Këshilli i Sigurisë Kombëtare, situata në Kosovë është serioze dhe se numri i të prekurve po rritet dhe se institucionet duhet të marrin masat sa më shpejtë.

Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi. Kjo është e drejtë e presidentit, ky takim është mbajtur. Nuk është këtu çështja këtu a jemi më kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar, nuk është koha e kapriceve se a duhet të dominojë mendimi i tij apo i këtij, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës.

Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha ai në Klan Kosova.