LDK-ja me një varg kritikash për 100 ditëshin e qeverisë “Kurti”

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kritikuar qeverinë “Kurti”, për 100-ditshin e parë të qeverisjes.

Sipas kësaj partie, qeveria e re në vend nuk ka dëshmuar se është serioze në punë dhe në temat e mëdha që e presin vendin,

Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka ndryshuar qëndrimet qysh nga ardhja në pushtet.

“LVV gjatë kohës sa ishte në opozitë udhëhiqej nga parimi jo negociata por vetëvendosje. Ajo çfarë kemi parë këtyre ditëve është transformim i skajshëm nga jo-negociata në dialog pa kushte,. Doli që dialogu është prioriteti numër një e jo ashtu siç thoshte që është i shtati. Qeveria iu qas këtij procesi pa plan e pika konkrete” , ka thënë Mjekiqi.

Ajo përmendi edhe qëndrimin e qeverisë për marrëveshjen e Uashingtonit.

“Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për tu ikur obligimeve që burojnë nga marrëveshja e Uashingtonit përmes interpretimit të kësaj marrëveshje si juridikisht të pavlefshme”, ka thënë më tutje Mjekiqi.

Në ndërkohë, Izet Sadiku nga grupi punues për shëndetësi në LDK, ka kritikuar qeverinë “Kurti”, për ngecje në procesin e vaksinimit.

Ai ka thënë se nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë ka rrezik që Kosova të goditet nga një valë e re e pandemisë.

“Ne deri sot, kanë kaluar 3 muaj dhe kemi më pak se 2% të vaksinimit. Nga koha kur është shpallur si periudhë e vaksinimit masiv, janë vaksinuar vetëm 70 mijë qytetarë. Nëse me këtë tempo vazhdon atëherë do të vaksinohet rreth 7% të qytetarëve. Kjo mungesë e vaksinimit ne e parashohim se do të ketë mundësi që të na godas një valë e re e pandemisë”, ka thënë Sadiku.

Në ndërkohë, deputeti Shkëmb Manaj ka përmendur edhe zyrtarët e VV-së që janë me aktakuza.

Ai ka përmendur rastin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe atë të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Në 100 ditëshin e saj kjo0 qeveri ka filluar të jap strehë aktivistëve dhe mbështetësve të saj në institucione. Një parti që fiton pushtetin absolut duhet të ketë kuadro profesionale për ta përmbushur planin qeverisë. Një shqetësim tjetër për ne është që ministra dhe deputet, pjesën më të madhe të punës së tyre e kaluan në gjykata me aktakuza. Vetëm në vendin tonë ndodh që ministrja e Drejtësisë ta ushtroj këtë detyrë derisa shkonte edhe në gjykatë”, ka thënë Manaj.

Ndërsa Besian Mustafa nga LDK-ja, në 100 ditëshin e qeverisë “Kurti”, ka përmendur shkarkimet që janë bërë nga kjo qeveri dhe punësimin e disa të tjerëve.

Ai kritikoi qeverinë edhe për mosmbështetjen ndaj qytetarëve për humbjet e shkaktuara nga pandemia.

“Në 100 ditëshin e parë të kësaj qeverie ka shumë ankesa për të shkuarën. Ekonomia jonë dhe sektori privat kanë nevojë për mbështetje. Qeveria ka ndarë vetëm 6 milionë euro për gastronominë kinse për të mbuluar dëmet që u janë shkaktuar nga mbyllja. Më nuk kanë asnjë përkrahje, përveç fjalëve që do ët bëjnë një pako të re për rimëkëmbje ekonomike. Gjatë këtyre 100 ditëve shkarkuan borde të ndërmarrjeve publike dhe ngarkuan anëtarë dhe familjarë të tyre. Përveç dajëve dhe nipave nuk gjetën punë për askënd tjetër”, tha Mustafa

Ai më tutje përmendi edhe aspekte të tjera të ekonomisë.

Në ndërkohë deputetja Vlora Dumoshi ka kritikuar qeverinë për moszhvillim të kulturës, rinisë dhe sportit

“Në rrafshin e kulturës, rinisë dhe sportit, ministri merr vendim për ta anuluar konkurset programore pa asnjë kriter. Tash jemi në korrik dhe e shohim se jeta kulturore dhe trashëgimore është shumë e varfër. Nuk kemi asnjë promovim të Kosovës jashtë vendit”, ka thënë Dumoshi.