LDK-së i duhet kandidati trim, që nuk tutet prej Thaçit dhe as nga komandantët

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë të ditur se do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të partisë, një ditë pas seancës për shpërndarje të Kuvendit. Përmes një ftese që i ka bërë Këshillit të Përgjithshëm, është bërë e ditur se do të diskutohet për dy pika të rendit të ditës. Madje mësohet se në këtë mbledhje ka mundësi të shpallet kandidati për kryeministër nga LDK-ja.

Por se cili do të jetë kandidati më i duhur i LDK-së që do ta fitonte garën karshi partive tjera politike, mbetët të shihet megjithatë, disa prej analistëve politik kanë përmendur emrin e Isa Mustafës.

Deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani ka thënë për “Bota sot” se ditën e premte mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm ku temat e paralajmëruara për diskutim kanë të bëjnë me plotësimin e kuadrit të organeve udhëheqëse të partisë dhe vlerësimi se cila do të duhej të jetë qasja e LDK-së në realitetin e krijuar politik dhe në procesin e ri zgjedhor.

Sipas tij, përpos zgjedhjes së kryesisë se re nuk do të merret ndonjë vendim për kandidatin për Kryeministër.

“Duhet të pranohet se LDK-ja ka brenda vetes shumë potencial, për të nxjerr një kandidat që do ti prijë listës me shumë sukses, kandidat ky i cili duhet të ketë në bagazhin personal politik trashëgiminë e kalimit nëpër shumë procese politike të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova, dhe kandidat i cili ka aftësinë e dëshmuar të dialogimit brenda strukturave të partisë, dialogimit me partitë tjera, dhe kuptohet dialogimit me Serbinë. Besoj se krejt debati eventual për emrin e Kryeministrit të ardhshëm do të qon te një emër që garanton që ky besim për LDK-në i shprehur në sondazhe, të përkthehet në votë ditën e votimit.”, ka thënë deputeti Rrahmani.

Kurse analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se, asnjë kandidat për kryeministër nuk i fiton dot zgjedhjet nëse nuk del si kandidat konsensusi kombëtar.

Sipas tij, LDK-ja është duke rrezikuar, sepse ndaj saj janë sulur gjithë shigjetat e përçarjes nga jashtë saj e nga brenda saj.

“Ai kandidat që ka më shumë imunitet, nga nepotizmi dhe që është autoritet moral që ka përfituar më pak se tjerët nga pasuria publike, ai ka gjasa të bashkojë bota. Dhe ai kandidat që është trim, që nuk tutet prej Thaçit e komandantëve, që nuk tutet prej vetes se vet e prej të kaluarës së vet, një i tillë na duhet. Që e ka bindje se Kosova jeton pa Serbi dhe Serbinë e kemi thjeshtë fqinj që nuk e zgjodhëm në, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Kurse analisti politik Blerim Burjani ka thënë se ka filluar një praktikë e panevojshme dhe e parakohshme që të caktohet kryeministri eventual, dhe nëse fitojnë partitë, kandidati më i duhur i LDK-së duhet të ishte i profilit ekonomik.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një kryeministër me përvojë nga fusha e ekonomisë e jo nga fushat tjera.

“Mendoj që Isa Mustafa po të jetë në gjendje të mirë shëndetësore është i duhur dhe i dobishëm për të marr postin e kryeministrit, por megjithatë LDK pak ka kuadro të ekonomisë që ekspozon në publik. Mund të ketë brenda subjektetit, por nga fusha e ekonomisë promovimi është bëre me dy njerëz të tjerë Lumir Abdixhikun dhe Abdullah Hotin. Pra tjerë edhe nuk ka, dhe realisht më e dobishmja do të ishte që kryeministër të jetë dikush nga fusha e ekonomisë”, ka thënë analisti politik Blerim Burjani.

Kurse analisti politik Sali Rexhaj ka thënë se për të është normale që kryetari i LDK-së të jetë edhe kandidat për kryeministër.

Sipas tij, në këtë rast Isa Mustafa ishte kandidat koncensuali për kryetar të LDK-së, pasi me këtë veprim LDK do të kalojë një sfidë të madhe dhe të shmang luftën e brendshme, e cila do të kishte pasoja.

“Pse duhet prishë këtë konsensus?! Aq më shumë Isa ka qeverisë shumë mirë sa ishte kryeministër. Pa dyshim se është kryeministri më i mirë i Kosovës deri sot. Tani nuk e di se a është pengesë gjendja e tij shëndetësore, por sido që të jetë në zgjedhje LDK-ë do të merrte vota më së shumti me Isa Mustafën. Nëse nxirret një kandidat tjetër në LDK, do të vie në shprehje rivaliteti dhe zvogëlimi i votave për LDK-në. Kjo u pa ne zgjedhjet e fundit me Abdullah Hotin e ri e pa karizëm”, ka thënë Rexhaj.

Ai më tej ka shtuar, se ka shumë rëndësi edhe lista e deputetëve, pasi në zgjedhjet e fundit LDK u dëmtua shumë kur bëri koalicion me parti anonime, po edhe në radhët e veta futi në listë njerëz që nuk i morën as 100 vota, dhe në anën tjetër la anash shumë veprimtar emblematik e popullor pa nevoje.

“Këtu patën gisht e hile klanet brenda saj, sepse në zgjedhje duhet të shkohet me kandidat që sjellin vota, e pastaj qeveria mund të plotësohet me ekspert të cilët nuk janë aq të popullarizuar, po punojnë mirë dhe janë të ndershëm e kompetent në fusha të ndryshme” ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti gjykon se LDK-ja udhëhiqet nga logjika e klikës, e cila e ngulfate demokracinë brenda partiake.

Sipas tij, me këtë logjikë të udhëheqjes pak ka gjasa që për kandidat/e të nxjerrët një person popullor dhe i cili do ta fitonte garën karshi partive të tjera.

“Nëse LDK-ja vepron me logjikën e deri tanishme, garës për zgjedhje nacionale do t’i futet e hendikepuar, pasi kandidati potencial për kryeministër do të del nga klika e cila e mban peng LDK-në. Pa përmendur emra, dihet se kush ka përkrahje popullore brenda LDK-së, dhe i/e cila me gjasë do ta nxirrte LDK-në si partia kryesore në garën e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.