Lëndët civile problemi më i madh i Gjykatës së Apelit, mbi 11 mijë të papërfunduara

Gjykatat në Kosovë ende kanë mijëra lëndë të papërfunduara ndërsa këtë problem sistemi i drejtësisë nuk po mund ta tejkalojë tash e sa vite.
Shkak i ngecjeve është thënë disa herë se është mungesa e gjyqtarëve por edhe papërgjegjësia e disa prej tyre.

Gjykata e Apelit aktualisht ka 12 mijë e 598 lëndë të papërfunduara.

Arbër Jashari, zëdhënës i kësaj gjykate i ka thënë lajmi.net se problemi më i madh është tek lëndët civile.

“Problemi më i madh është tek lëndët e lëmisë civile ku janë 11 e 547 lëndë të pa kryera. Këtu edhe janë ngecjet më të mëdha. Arsyet gjykata vazhdimisht i ka bërë publike e që kryesisht lidhen me mungesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës”, ka thënë Jashari.

Tutje, ai ka theksuar se gjykata ende ka mbi 500 lëndë të pazgjidhura të vitit 2014 dhe rreth 1500 të vitit 2015.

“Këto të fundit, gjykata i ka shpallur edhe si prioritet për vitin 2019, bashkë me lëndët që sipas ligjit janë urgjente sikurse: masat e përkohshme, lëndët statusore, përmbarimoret, shpronësimet, kontestet e punës etj”.

Duke bërë të ditur se në Gjykatën e Apelit kanë filluar punën 10 gjyqtarë të rijnë, Jashari ka thënë se kjo paraqet një lajm të mirë për te gjitha palët, pasi që do ketë procedura më të shpejta.

Vitin që e lamë pas, numri i lëndëve që gjykatat në përgjithësi kanë pasur është gjithsej 396 mijë e 862.

Nga lëndët e trashëguara si të pazgjidhura shifra arrinë në 307 mijë e 513 lëndë, ndërsa numri i lëndëve të pranuara në punë përgjatë nëntë muajve të kaluar është 89 mijë e 349 lëndë.