LSDM dhe BDI pritet të zbulojnë emrin e kandidatit për president

Partitë e koalicionit qeveritar, të premten, pritet të publikojnë emrin e kandidatit të përbashkët për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet e parapara më 21 prill.
LSDM dhe BDI pritet të zbulojnë emrin e kandidatit për president
Dy partitë kryesore, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të mërkurën njoftuan marrëveshjen për dalje në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, por pa saktësuar emra konkretë.

Megjithatë, në opinion tashmë disa ditë, si kandidat më serioz për t’u nominuar për kreun e shtetit përfliten emrat e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministres së Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dhe të koordinatorit nacional për NATO-n, Stevo Pendarovski, transmeton REL.

Ideja për kandidat konsensual fillimisht ishte paraqitur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) por bazuar në prononcimet e fundit është lakuar në kandidat të përbashkët apo të dakorduar, që, sipas analistëve, nënkupton ndryshim të qëndrimit në drejtim të marrëveshjes apo pazareve të partive për qëllime të ndryshme.

“Insistimi për kandidat konsensual mendoj se është në kundërshtim me idenë dhe konceptin ‘një shoqëri për të gjithë’ e lëre më që kjo të bëhet si standard për të ardhmen. Në një koncept të ri qytetar drejt të cilit synon të ecë Maqedonia, veçanërisht pas mbylljes së Marrëveshjes së Ohrit, ligjit për gjuhët, po humb kuptimi i ekzistimit të partive të profilizuar në baza etnike”, thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci.

Ai thotë se ideja e kandidatit konsensual më tepër ka të bëjë me mos dështimin e procesit zgjedhor, pasi nëse partitë dalin me kandidatët e tyre, ka gjasa që në rrethin e dytë të mos arrihet pragu prej 40 për qind të daljes në votime.

Nga ana tjetër, opozita shqiptare në zgjedhje do të garojë me Blerim Rekën, profesor universitar dhe ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.