Maguire lavdëron Unitedin: Ndihemi të sigurt

Kapiteni i Manchester Unitedit, Harry Maguire, ka thënë se ai ndihet shumë i sigurt me rinisjen e seancave stërvitore në kampin e klubit, Carrington, përkundër krizës së sjellë nga përhapja e Covid-19, teksa e ka lavdëruar klubin për mënyrën se si është përshtatur me rrethanat.

Skuadra e Manchester Unitedit u kthye në Carrington të mërkurën, pasi ekipeve të Premierligë iu dha drita e gjelbër për t’i rinisur seancat stërvitore në grupe të vogla të lojtarëve nga e marta

Sezoni 2019/20 i Premierligës ka qenë i suspenduar që nga marsi shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Manchester Unitedi radhitej në pozitën e pestë, tre pikë jashtë top katërshes, pas 29 xhirove të zhvilluara.

Maguire ishte i kënaqur që më në fund pati mundësi t’u kthehet stërvitjeve në kampin e klubit, pasi që tha se muajt e fundit kanë qenë të çuditshme për të si futbollist.

“Këta muaj kanë qenë të çuditshëm, por klubi e ka ndjekur protokollin. Duket se tani e kemi një ambient kaq të sigurt”, ka thënë Maguire, në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të klubit.

“Sot është ditë e parë që kur jemi kthyer, por ndihemi kaq të sigurt dhe të gjithë po i respektojnë rregullat. Shpresoj që kjo do të vazhdojë gjatë dhe jam i sigurt se askush s’do të ketë problem”.

“Ka shumë më pak njerëz në kamp stërvitor kur shkojmë ne. Të mërkurën ishim një grup prej katër lojtarëve, punonim me një trajner, kështu nuk ishim shumë njerëz. Për më tepër, kemi hapësira të mëdha”.