Man Unitedi pëson goditjen e parë nga Covid-19, i shtohen borxhet për 140 milionë euro

Manchester Unitedi e ka publikuar raportin financiar për tremujorin e parë të vitit kalendarik 2020, ku ka raportuar ngritje të borxheve për 140 milionë euro. Borxhi total i Djajve të Kuq tani është 477 milionë euro.

Të enjten në mëngjes, Manchester Unitedi bëri të ditur se borxhi i klubit është rritur për 42 për qind në krahasim me vitin e kaluar, por arsyetoi se një gjë e tillë ndodhi shkaku i ndikimit që koronavirusi e ka pasur në aspektin financiar të klubit

Këtë rritje klubi e ka arsyetuar edhe duke thënë se ka ndikuar ndryshimi i vlerave të valutave euro dhe dollarë amerikanë, pasi që pronarët e Djajve të Kuq vijnë nga SHBA-të.

Këto shifra tregojnë gjendjen financiare të Manchester Unitedit deri më 31 mars, ku përfshihen edhe tri javë pasi u suspenduan të gjitha ndeshjet në botën e futbollit.

Për t’i përballuar humbjet shkaku i koronavirusit, Manchester Unitedi ka vendosur t’i ndajë një pjesë të përfitimeve vjetore nga marrëveshjet me kompani të ndryshme, në mënyrë që të mos duhet ta ndjekë shembullin e shumë klubeve të tjera, që kanë vendosur t’ua ulin pagat punëtorëve.

“Fokusi ynë mbetet te shëndeti dhe mirëqenia e kolegëve tanë, tifozëve dhe partnerëve kudo në botë. Ne jemi tejet krenar me mënyrën se si ata që janë të lidhur me klubin janë përgjigjur ndaj kësaj krize”, ka thënë drejtori ekzekutiv i klubit, Ed Woodward.