MASHT-i arsyetohet për mungesën e teksteve shkollore

Në lidhje me raportimet e mediave për mungesën e teksteve shkollore të klasës 10 dhe 11, ku është akuzuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë se ka dështuar të sigurojë tekstet, MAShT ka lëshuar një komunikatë për media ku sqarojnë se janë të obliguar që të sigurojnë tekste falas vetëm për klasat 1-9.

– MAShT është e obliguar të sigurojë tekste falas vetëm për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, pra klasat 1-9. Ndërsa, nxënësit e shkollave të mesme të larta duhet t’i sigurojnë (blejnë) tekstet shkollore.

– MAShT në këtë vit shkollor ka përfunduar procesin e hartimit të teksteve të reja për nivelin 0, 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11. Tekstet për të cilat Ministria është e obliguar t’i shpërndajë falas, kanë qenë me kohë në duart e nxënësve.

– Sa i përket klasës 10 dhe 11, Ministria nuk e ka obligim furnizimin e nxënësve me tekste shkollore. Por, duke qenë se për këto klasë, po ashtu janë përgatitur tekstet e reja, MAShT me kohë i ka lëshuar vendimet për shtëpitë botuese, për tekstet që kanë fituar të drejtën për botim. Prandaj, është përgjegjësi e shtëpive botuese që ta furnizojnë tregun me këto tekste.

– Raportimi në media se mësimdhënësit e shkollave të mesme ende janë në hamendje se me çfarë librash duhet të shërbehen nxënësit, nuk qëndron, sepse MAShT ka publikuar listën përfundimtare të teksteve të reja shkollore (edhe për klasën 10 dhe 11), në faqen zyrtare të Ministrisë më datën 18 qershor 2019. Pra, që nga kjo datë, është e njohur për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë qytetarët se cilat tekste do të përdoren nga ky vit shkollor.