Mendimi në ecje – Portreti i Arbën Xhaferi nga Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë një shkrim në rrjetin social në Facebook sot në 7 vjetorin e vdekjes së Arbën Xhaferit.

Kurti ka bërë një ripostim të një teksti që kishte bërë para shtatë viteve, në ditën kur veprimtari i shquar ndërroi jetë.

Albin Kurti kujtoi një thënie të shkrimtari Umberto Eco për politikën, të cilën Arbën Xhaferi e kishte shumë për qejf.

Mendim në ecje quhet vepra e Eco’s.

Ky është shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Ribotim i tekstit nga gushti 2012 me rastin e 7 vjetorit të vdekjes së Arbën Xhaferit.

Mendimi në ecje

Arbën Xhaferi e kishte për qejf një thënie të Umberto Eco-s për politikën si mendim në ecje. Siç je duke ecur, thoshte Arbëni dhe qeshej, ta vënë mikrofonin përpara dhe duhet të flasësh. Qesheshim të gjithë që ishim me të. Arbëni kishte njëfarë sikleti të brendshëm se çfarë iu desh politika. Kishte një pendim për veten në politikë por edhe një pasion për politikën kombëtare. Ky tension është vetëmohimi. Pa këtë tension nuk do ta njihnim Arbën Xhaferin si politikan. Me këtë tension, Arbën Xhaferi ishte më shumë se politikan. Përmes kësaj distance kritike ndaj politikës ai ishte politikan mbi politikën. Dhe, përmes këtij mohimi të politikës ai ia garantonte substancën asaj.

Arbën Xhaferi ka hyrë me shumë dije në politikë dhe ka prodhuar shumë dije në politikë. Sepse mendimi i tij ka qenë mendim në ecje, mendim që nuk ndalej asnjëherë. Sëmundja që e kaploi njëmend e pasivizoi atë fizikisht, porse mendja e tij u bë më dinamike se kurrë më parë. Ashtu sikurse që në trupin e ngurtë ziejnë pafund atome e grimca tjera me shpejtësi marramendëse, ngjashëm në siluetën e ngadalësuar të Arbën Xhaferit punonte mendja e tij krijuese. Ndonëse i kufizuar dhe i dërrmuar nga Parkinsoni, shkrimet më të mira dhe më të fuqishme të Arbënit ishin pikërisht ato të dekadës së fundit të jetës së tij.

Arbën Xhaferi ka lënë një trashëgimi të pasur dhe ka dhënë një kontribut të paçmuar në politikën kombëtare, mirëpo ai kishte një kapacitet me potencial në rritje që vdekja e tij na e rrëmbeu. Kemi aq shumë tekste e intervista të vlefshme të tij, porse kemi edhe shumë tekste e intervista të tjera të cilat duke mos mundur më t’i bëjë ai, s’i bën dot askush tjetër. Vepra e Arbën Xhaferit është shumë më e madhe sesa jeta e tij. Ama po të rronte edhe ca më gjatë, kjo vepër do të rritej edhe shumë më tepër. Vdekja nuk e mori Arbënin në perëndim të intelektit të tij, por atëherë kur ai po ndriçonte me tërë shkëlqimin e mundshëm. Kjo është arsyeja pse me Arbën Xhaferin fituam aq shumë që e patëm dhe humbëm po ashtu shumë që s’e kemi më.

Të gjithë politikanët kanë mendime. Mendime kanë shumë politikanë. Porse të menduar kanë fare pak politikanë. Arbën Xhaferi të mrekullonte me të menduarit e tij. Vështirë të gjesh ndër shqiptarë politikanë të tjerë, e sigurisht jo vetëm politikanë, që nxjerrin aq shumë margaritarë teksa mendojnë me zë për një çështje a temë të caktuar. Në njërën anë, Arbën Xhaferit nuk ke mundur t’ia ndërrosh mendjen meqë i kishte gjërat të menduara mirë, ndërsa, në anën tjetër, të menduarit e tij të atypëratyshëm ishte brilant si i askujt tjetër. Ecja e mendimit të tij ishte e jashtëzakonshme dhe fascinuese.

Arbën Xhaferi ka qenë më shumë filozofik sesa teorik, më shumë politik sesa ideologjik. Në filozofi, më parë se Platonin e donte Aristotelin, më shumë se Hegelin e donte Nietzschen. Kurse në politikë ishte më pranë Platonit e Hegelit sesa Marksit. Arbën Xhaferi për socialistët ishte tepër liberal, e për liberalët ishte tepër konservator; për konservatorët ishte tepër postmodern, e për postmodernët ishte tepër romantik. Por gjithmonë, dhe gjithnjë e më shumë, ai ishte politikan i fuqishëm i kombit shqiptar që kombin shqiptar e donte të fuqishëm në politikë.

Porosia e Arbën Xhaferit është se Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk kanë dhe as që kanë nevojë të kenë alternativë. Bashkimin kombëtar të shqiptarëve ai e shihte si kauzë të drejtë dhe të dobishme si nga këndvështrimi kulturor dhe ekonomik, po ashtu edhe nga ai politik e historik. Arbën Xhaferi thoshte që shqiptarët për ta ndryshuar gjendjen e tyre nuk duhet të ndryshohen ata vetë si shqiptarë që janë. Ndryshimi i situatës së shqiptarëve bëhet duke mos ndryshuar shqiptarët, duke mbetur shqiptarë, duke u bërë e ribërë përherë shqiptarë.

Përgjatë historisë shqiptarëve u janë ofruar solucione nga më të ndryshmet prej të gjitha anëve që ta lënë anash identitetin dhe përkatësinë e tyre, gjuhën e traditën, flamurin e kujtesën kolektive, sepse ashtu përfitojnë paqen dhe mirëqenien. Shqiptarët përgjithësisht nuk ranë asnjëherë në këtë kurth, madje edhe atëherë kur shumica e politikanëve të tyre sharronin thellë. Sot, kur kurthat e tilla vetëm sa ndërrojnë formë për t’u riaktualizuar më kollaj, porosia e Arbën Xhaferit bëhet veçse më e rëndësishme.

Arbën Xhaferi eci dhe mendoi tërë jetën. Tash, gjersa ne ecim, duhet ta kujtojmë me shumë mall njeriun që mendoi aq shumë për të gjithë neve. Ta kujtojmë duke e lexuar dhe duke e mësuar atë. Vepra e Arbën Xhaferit pa dyshim se do të jetë frymëzuese dhe inspiruese për të gjithë neve dhe brezat që do të vijnë pas nesh, për neve si qytetarë e si politikanë, si atdhetarë e si njerëz.