Mesazhe pajtimi nga LDK: Diskutimet me Vetëvendosjen vazhdojnë shumë shpejt

Takimi i fundit në mes të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit kishte përfunduar me mospajtimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kërkesën e LDK’së që në marrëveshjen potenciale për koalicion ta marrë edhe postin e presidentit. Tensionet janë rritur kur Glauk Konjufca vendosi të rrëfejë publikisht për raportet me Vetëvendosjen. Pavarësisht reagimeve të para, Isa Mustafa bashkë me nënkryetarët e partive çuan sot mesazhe pajtimi.

Dy taborët ditën kur dështuan të gjejnë konsensusin për formimin e qeverisë, kishin bërë me dije se takimet dhe konsultimet do të vazhdonin përsëri deri në arritjen e një marrëveshje.

Ishte paralajmëruar një takim i shpejt Kurti-Mustafa, megjithatë deklarimet e bëra nga Glauk Konjufca të martën mbrëma në emisionin Pressing të T7 rreth gjithë pazarit që po bëhet mes dy partive në përpjekje e si për të arritur një koalicion, kanë bërë që kreu i LDK’së të anulojë një takim të tillë. Të irrituar kanë reaguar edhe deputetët e zgjedhur të LDK’së, Lumir Abdixhiku e Haxhi Avdyli, ndërkohë në opinion ishte krijuar përshtypja që një marrëveshje për koalicion mes dy partive po bëhej e pamundur.

Por gjithë këtë tensionim të situatës mes dy partnerëve e ka qetësuar një komunikatë e lëshuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët kanë thënë se do të vazhdojnë shumë shpejt diskutimet dhe që do të qëndrojnë rezistent ndaj presioneve të jashtme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, thuhej në komunikatën e sotme të lëshuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mes dy partnerëve të cilët po synojnë të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje janë zhvilluar disa takime radhazi mes grupeve punuese për harmonizimin e programit. Në një takim Kurti-Mustafa madje ishte arritur pajtueshmëri e plotë rreth projektit se si do të qeveriset me Kosovën, duke qenë se disa çështje kishin mbetur pezull nga grupet punuese.

Pas përmbylljes se kësaj faze teknike për harmonizim të programeve qeverisëse, kanë vazhduar takimet në nivele të larat politike, dhe tashmë duket se e vetmja çështje që ka mbetur për të gjetur një kompromis, është ndarja e posteve dhe pajtimi i dy palëve me kërkesat e njëra tjetrës.

Njohës të rrethanave politike madje e shohin si banale që e gjithë puna e bërë nga dy partitë për arritjen e një koalicioni të reduktohet në një debat për pozita udhëheqëse.

Mbetet të shihet se kur do të jetë takimi i radhës mes dy partive, duke qenë se tashmë LDK dhe VV janë edhe nën presionin e kohës, meqë presidenti Thaçi mund të thërras seancën për konstituimin e Kuvendit, dhe një gjë e tillë do t’i vështirësonte gjërat.