Mëse 170 miliardë dollarë fshihen nga kriptomonedhat

Bitcoin dhe monedhat e tjera dixhitale shënuan rënie të ndjeshme ditën e Hënë duke fshirë 170 miliardë dollarë nga tregu i kriptomonedhave.

Vlera totale e këtij tregu ishte 959 miliardë dollarë nga 1.1 trilionë dollarë një ditë më parë.

Bitcoin, kriptomonedha më e madhe, ra me 11% në 32,475 dollarë sipas bursë së Luksemburgut Bitstamp. Monedha e dytë më e madhe Ethereum ra me 15% deri në 1,011 dollarë.

Shitja e kriptomonedhës vjen pas një rritjeje masive me 340% vetëm në 12 muajt e fundit. Javën e kaluar arriti shifrën rekord prej 42 mijë dollarë.

Kalimi i kufirit 40 mijë dollarësh është parë si një moment fitimi dhe për këtë mund të jetë shitur.

Monedha shihet si ari dixhital, një aset i parajsës së sigurte dhe kundërmasë ndaj inflacionit. Madje një prej bankave më të mëdha në botë JPMorgan në një letër kërkimore tha se bitcoin mund të arrijë deri në 146 mijë dollarë gjatë 2021.