Ministri i Financave merr vendim për pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore apo përmbarimore

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka marr vendim që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e të gjitha vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore për shkak të gjendjes së krijuar pas përhapjes së virusit Covid-19

Po ashtu ministri Bislimi vendim ka marr që të pezullojë edhe pagesat e drejtpërdrejta thesarit dhe kërkesat ndaj thesarit për rimbursim për persona fizik dhe juridik.

Vendimi i plotë i ministrit Bislmi:

Duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë për situatën lidhur me COVID19, për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit ka marr vendim për:

Pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore apo përmbarimore,
Pezullimin e të gjitha kërkesave drejtuar Thesarit për pagesa të drejtpërdrejta, sipas nenit 39 (2) të LMFPP, që ka të bëjë me faturat e papaguara mbi 60 ditë.

Pezullimin e përkohshëm të të gjitha kërkesave ndaj Thesarit (MFT) për rimbursime për persona fizikë dhe juridik.
Stafi i Thesarit do të bëjë trajtimin e kërkesave të pranuara deri më datë 11.03.2020. Ndërsa kërkesat e pranuara pas këtij afati pezullohen përkohësisht, dhe pas marrjes së një vendimi tjetër apo me shfuqizimin e vendimit për situatën e emergjencës shëndetësore, trajtimi i kërkesave do të vazhdojë aty ku ka mbetur.

Gjithashtu vlen të theksohet se për shkak të situatës së krijuar, të gjitha kërkesat të cilat vijnë nga palët, duke përfshirë edhe ato nga organizatat buxhetore, duhet të paraqiten vetëm përmes postës elektronike zyrtare (të skanuara), për të shmangur kontaktin fizik.