Ministri i Kulturës flet për lahutën: Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se sfidë e vitit 2018 ka qenë funksionimi i institucioneve vartëse të MKRS-së, për të cilat tha se tashmë do funksionojnë me kode të veçanta buxhetore. Ndërsa, për lahutën ka theksuar se Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë sepse nuk është pjesë e UNESCO-s.
Gashi në konferencën e fundvitit me gazetarë, ka thënë se vendimi më i rëndësishëm ka qenë rritja e pagave për punonjësit e kulturës e trashëgimisë kulturore.

E lidhur me rastin e lahutës, Gashi tha se Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë, sepse nuk është pjesë e UNESCO-s.

Ndërkaq, anëtarësimin e Kosovës në programin “Evropa kreative” gjatë këtij viti, ai e ka cilësuar si mundësi të mirë për të rinjtë kosovarë.

“Është njëri prej dokumenteve më të rëndësishme, prej këtij bashkëpunimi do të përfitojnë të rinjtë e Kosovës, pasi që Evropa ndan një fond të madh për projektet kulturore”, tha ai.

Gashi po ashtu ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur teatrot e Kosovës do të kenë trajtim më të rëndësishëm me ligjin e ri për teatrot.

Ai shtoi se gjatë këtij viti u përditësua Lista e Objekteve të Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, prej tyre 28 asete të reja.

Sipas tij, këtë vit është themeluar Inspektoriati për Trashëgimi kulturore, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të trashëgimisë kulturore.

“Tashmë mbetet sfidë e përkushtim i yni rritja e numrit të inspektorëve të trashëgimisë kulturore për shkak se është numër jo i mjaftueshëm për ta realizuar veprimtarinë e tyre”, ka thënë Gashi.

Kampin rinor dhe krijimin e Fondit Rinor, Gashi i ka cilësuar ndër projektet më të rëndësishme të MKRS-së në fushën e rinisë.

Ai tha se gjatë këtij viti janë përkrahur 70 projekte të ndërmarrësve të rinj.

“Shumë shpejt në Kosovë do të jenë 70 biznese me ndërmarrës të rinj, të cilët veç se kanë filluar”, ka thënë Gashi.

E në fushën e sportit, Gashi tha se ka ofruar mbështetje për KOK-un dhe federatat sportive.

Gashi tha se vetëm gjatë këtij viti, sportistët kosovarë kanë sjellur 54 medalje vetëm në garat ndërkombëtare.

Në fund, Gashi tha se për 98.6 përqind është realizuar plani i punës dhe buxheti i MKRS-së gjatë këtij viti.