Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Gent Cakaj në Shkup

Ministri i autorizuar për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj sot qëndron për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në suaza të së cilës do të pritet nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Siç kumtoi sot Ministria e Punëve të Jashtme, pritet bisedimet të përkushtohen në çështje të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe midis të dyja vendeve, për perspektivat e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në fushën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar dhe ndërlidhje.

Gjithashtu, do të shkëmbehen mendime edhe lidhur me gjendjen aktuale në rajon, gjegjësisht sfidat dhe perspektivat e vendeve të rajonit.

Krahas takimit me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme Dimitrov, ministri i autorizuar Cakaj do të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nga kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev dhe nga zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.