Ministria e Sportit investon 1,3 milion euro për stadiumin e futbollit

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me komunën e Gjakovës, me ç’rast do të investohet në renovimin e stadiumit të futbollit dhe në ndërtimin e kompleksit të tenisit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në takim Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini

Në këtë takim, ministri Gashi e kryetari Gjini kanë nënshkruar dy memorandum bashkëpunime për mbështetje financiare për projektet “Renovimi i Stadiumi të Qytetit në Gjakovë” dhe “Ndërtimi i kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës”.

Memorandumi për “Renovimin e Stadiumi të Qytetit në Gjakovë” do të implementohet gjatë viteve 2019/2020/2021, MKRS për ketë memorandum bashkëpunimi investon mjetet financiare në vlerë prej 1,300,000.00 €, ndërsa memorandumi për “Ndërtimin e kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës”, do të implementohet gjatë vitit 2019, ky investim mbështetet me mjetet financiare në vlerë prej 383,000.00 €.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se nënshkrimi i këtyre memorandumeve për investime në fushën e sportit në komunën e Gjakovës, po bëhet me qëllim të krijimit dhe avancimit të infrastrukturës sportive.

“Pas këtyre investimeve të rinjtë e Gjakovës dhe sportistët e këtij qyteti do të kenë mundësi më të mira për realizimin e aktiviteteve të tyre sportive”.

Tutje ministri tha se “Ne si Ministri e sportit mbetemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me gjitha komunat e Kosovës, dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës sportive, sepse kështu krijohen mundësi dhe kushte të volitshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive”.

Ndërkaq kryetari i Gjakovës shprehu falënderim të veçantë për ministrin Gashi për nënshkrimin e këtyre memorandumeve, duke e konsideruar këtë veprim të ministri si të shumë pritur për qytetarët e Gjakovës.