MIT: Të pezullohet greva në Aeroport, rrezikon të dëmtojë seriozisht operimet në “Adem Jashari”

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror, përkundër, siç thotë kjo ministri, propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e Ministrit Pal Lekaj.

Në këtë memorandum mirëkuptimi, sipas komunikatës së MIT-së, janë të përfshira kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas përfshirjes së tyre në Ligjin për pagat.

“E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të Ligjit për greva. Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror, nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha. Greva e cila po mbahet nga SINKON e ASHNA rrezikon të dëmtojë seriozisht operimet në ANP ‘Adem Jashari’ gjë e cila mund të shkaktojë pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil”, thuhet në reagimin e MIT-së.

Prandaj, MIT edhe njëherë ju bën thirrje SINKON-it të ASHNA-s që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të pezullojnë grevën e nisur.

MIT thotë se është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON-it të ASHNA-s.

“Lekaj u qëndron premtimeve se do të punojë në vazhdimësi deri në rregullimin e statusit të kontrollorëve ajrorë, prandaj pret reflektim nga këta të fundit”, përfundon reagimi i MIT-së.​