MSI-ja përgatit pllakën amë MEG X570 Unify në dizajn të errët

Ndriçimi RGB është në trend dhe ka përparuar shumë gjatë viteve të fundit, ndërsa mund të gjendet në pothuajse çdo gjë që e ka fuqinë përkatëse.

Megjithatë, ka nga ata përdorues që nuk janë adhurues të mëdhenj të ndriçimit shumëngjyrësh dhe e duan një pllakë amë krejtësisht të zezë apo kartelë grafike të zezë, raporton Guru3D.

Pllaka amë e stilizuar, me dizajn në tone të zeza/të errëta dhe pa ngjyra shtesë është pikërisht ajo që po planifikon kompania MSI. Kompania tashmë ka filluar ta paralajmërojë në faqet e rrjeteve sociale pllakën amë MSI MEG X570 Unify, i tërë dizajni i të cilës është në ngjyrë të zezë.

Përveç dizajnit të bukur, pllaka është e pajisur me tre sllote PCI, dy konektorë 8-pinësh dhe një buton onboard për ndezje dhe resetim, shkruan KOHA Ditore. Ofrohet edhe 2.5 Gbps Ethernet dhe AX WIFI6. MSI i ka kushtuar edhe shumë vëmendje ftohjes, ndërkohë që shihet se tre sllotet M2 kanë përçues të nxehtësisë.

Pllaka amë MSI MEG X570 Unify thuhet se do të kushtojë 239 dollar.