Muriqi tallet me bashkëlojtarin e vet: Mos më ofendo tash

Sulmuesi kosovar i Fenerbahces, Vedat Muriqi, dhe bashkëlojtari i tij në klubin turk, Deniz Turuc, ishin në disponim për të bërë shaka, pas fitores së mbrëmshme, që e dërgoi Fenerbhacen në 1/8 e finales së Kupës së Turqisë.

Vedat Muriqi u rikthye titullar për Fenerbahçen në mënyrën më mbresëlënëse të mundshme mbrëmë, duke i ndihmuar Fenerbahces të kalojë në 1/8 e finales së Kupës së Turqisë me një gol dhe një asist në triumfin 4:0 kundër Istanbulspor AS, raporton Gazeta Express.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës asistoi te goli i dytë dhe e shënoi golin e tretë në fitoren e lehtë ndaj klubit nga TFF 1. League, niveli i dytë i futbollit turk, në rrethin e pestë të Kupës së Turqisë të martën në Stamboll.

Pas kësaj ndeshje, lojtarët e Fenerbahces ishin të kënaqur me paraqitjen e tyre dhe kjo u gjë e vërejt edhe në intervistat pas ndeshjes.

“Jam gati kudo që trajneri të ma japë mundësinë. Unë tentoj të jem gati për të luajtur kurdo dhe kudo. Madje, do të tentoj të luaj edhe si sulmues, nëse është e nevojshme”, tha mesfushori i Fenerbahces, Deniz Turuc.

Vedat Muriqi, i cili ishte duke pritur pranë Denizit, ndërhyri pas këtyre fjalëve dhe tha: “Mos më ofendo tash. Eja këtu, gjeje një derë tjetër”.

Pas përgjigjes së sulmuesit kosovar, dy futbollistët dhe gazetari filluan të qeshin.

Ylli nga Prizreni – i cili u rikthye nga lëndimi në fundjavë duke lënë gjurmë pasi në më pak se 30 minuta si zëvendësues duke dhuruar një asist në barazimin e Fenerbahçes 2:2 kundër Goztepe në Superligën turke – luajti 72 minuta në Ulker Stadyumu pa praninë e tifozëve.

25-vjeçari asistoi te goli i dytë i vendasve, i shënuar nga Ferdi Kadioglu në minutën e 16-të, duke e vjedhur një top të mbrojtjen mysafire. Muriqi më pas shënoi në minutën e 72-të, duke goditur me këmbën e tij më pak të preferuar, të djathtën, atë që ishte goli i parë në kupë këtë sezon.

Ky ishte goli i tetë dhe asisti i tretë i Muriqit në 13 ndeshje në të gjitha garat deri tani për Fenerin. Ai duket se e ka lënë plotësisht mbrapa lëndimin fatkeq të nëntorit dhe është plotësisht i riaftësuar për të luajtur titullar për klubin turk.

Si pasojë e këtij lëndimi, Muriqi nuk qe në gjendje ta ndihmojë Kosovën në asnjërën prej dy humbjeve në dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë kah mesi i këtij muaji.