NATO kërkon rindërtimin e unitetit politik

Watford, Londër, 4 dhjetor – Nën masa të rrepta të sigurisë, në hotelin Grove, të qytezës Watford, në periferi të Londrës, janë mbledhur shefat e shteteve anëtare të aleancës më të fuqishme ushtarake në histori – NATO-s.

Mbledhja e 29 krerëve shtetëror vjen në një moment kthese – kur Aleanca shënon 70 vjetorin e themelimit dhe njëkohësisht kërkon të tejkalojë çarjet dhe mosmarrëveshjet që e kanë përfshirë kohët e fundit

Sipas zyrtarëve të NATO-s, synimi kryesor në këtë takim është që të arrihet unitet i plotë në raport me sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Aleanca, në veçanti dhe perëndimi në përgjithësi.

Ndër këto sfida, një zyrtar i NATO-s identifikoi dy kryesoret – Rusinë dhe terrorizmin. Andaj dhe pritja më e madhe nga takimi i sotëm është arritja e konsensusit të brendshëm të NATO-s në raport me këto sfida, gjë e cila nuk duket se do të jetë lehtë e arritshme marrë parasysh gjendjet dhe zënkat mes krerëve të shteteve anëtare, e që janë shfaqur madje edhe dje, në ditën e parë të takimit të Londrës, kur u dëgjuan kritika të ashpra nga presidenti amerikan, Donald Trump, në adresën e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, si dhe përplasjet me fjalë mes Macronit dhe presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan.

Sido që të jetë, në NATO shpresojnë se këto mosmarrëveshje publike do të mund të tejkalohen në takimin që pritet të përfundojë herët pasdite, posaçërisht meqë shumica thonë se në aspektin ushtarak dhe praktik, aleanca nuk ka funksionuar kurrë më mirë, dhe problemet ekzistuese krijohen ekskluzivisht nga faktori politik në krye të disa shteteve anëtare.