Ndryshim i madh në motorin e kërkimit të Google

Google kohët e fundit paralajmëroi një ndryshim të madh në motorin e kërkimit i cili do të ndikojë në përmbajtjen që shfaqet në krye gjatë kërkimit të termeve dhe ngjarjeve.

Deri më tani në motorin më të popullarizuar të kërkimit është favorizuar përmbajtja më e re e lidhur me një temë të caktuar, por Google tani dëshiron ta ndryshojë këtë.

Tani në krye ose afër do të shfaqet historia burimore për një temë të caktuar, shkruan KOHA Ditore. Pra, një artikull në të cilin janë zbuluar për herë të parë informacionet të cilat “përndryshe nuk do të diheshin”.

Informacionet e reja gjithmonë raportohen nga mediat e shumta, dhe me kalimin e kohës, artikulli origjinal humbet në mesin e shumë rezultateve të tjera të kërkimit, kështu që shumë njerëz nuk e lexojnë fare.

Google dëshiron ta korrigjojë këtë padrejtësi në mënyrë që gazetarët dhe mediat të cilët vërtet e kanë zbuluar ngjarjen dhe e kanë shkruar artikullin origjinal, ta marrin më shumë vëmendjen e lexuesve.

Në konfigurimet e algoritmit dhe trajnimin e inteligjencës artificiale që janë thelbësore për shpërndarjen e përmbajtjes më të rëndësishme, Google do të duhej t’i ndihmonte rrjeti global prej më shumë se 10.000 personave që i ofrojnë kompanisë informacione mbi cilësinë e rezultateve të kërkimit të shfaqura në motorin e kërkimit.

Nga kompania thonë se vazhdimisht do të punojnë për ta “kuptuar më mirë ciklin jetësor të lajmeve” për t’ua siguruar përdoruesve informacionet sa më të rëndësishme.