Në Tiranë kundërshtohet memoriali për të rënët turq në grushtshtetin e vitit 2016

Qytetarë të Tiranës kërkojnë heqjen nga Parku Publik të Memorialit për të rënët turq në grushtshtetin e vitit 2016 në Turqi. Analistë të pavarur në Tiranë e shohin ngritjen e Memorialit si një veprim të nxituar.

Reagim pati edhe nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i cili në një postim në Facebook ka shkruar “Jo memorial politik, të Turqisë së Erdoganit, në Tiranë!”

“Aty e ka vendin ndonjë memorial i Gjenocidit të Perandorisë Otomane, i Masakrës së Tivarit, Krimeve të Komunizmit, i Luftës së Kosovës, por asnjëherë i politikës aktuale të Turqisë së Erdoganit!”, ka shkruar ai.

Memoriali qëndron që prej një muaji në Parkun e Madh të Tiranës, pranë Liqenit Artificial.

Në një pllakë prej betoni, janë gdhendur emrat e 251 të rënëve që kontribuuan në dështimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi, kundër qeverisë së Presidentit Erdogan.

Rrugës që të ҫon tek Memoriali i është dhënë emri “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe zona e parkut ku është ngritur Memoriali, me investimin financiar të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, (TIKA) është quajtur “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”.

Të martën, gjithashtu kujtojmë se qytetarë të Tiranës kërkuan heqjen e Memorialit dhe 2 emërtimeve të reja. Në një peticion online të shoqërisë civile, të iniciuar nga organizata “Change” grushti i dështuar i shtetit në Turqi quhet ”një ngjarje që nuk ka asnjë domethënie apo rëndësi historike, kulturore dhe shpirtërore për qytetarët e Tiranës”.