Nëndetësja gjermane e Luftës së Parë Botërore shfaqet në bregdetin francez

Mbetjet e një nëndetëse gjermane që besohet se ka operuar gjatë Luftës së Parë Botërore po dalin mbi sipërfaqen e ujit në bregdetin e Francës veriore, disa dekada pasi kishte qëndruar e mbuluar nga rëra.
Rëra lëvizëse në komunën e Wissantit po i vë në pah mbetjet e nëndetëses së tipit “UC-61”, e cila ishte vendosur në bregdet në korrik të vitit 1917. Ekuipazhi i nëndetëses e kishte braktisur atë dhe rëra e kishte mbuluar pjesën më të madhe të saj deri në vitet e tridhjeta.

Rishfaqja e saj po bëhet atraksion turistik, ndonëse kryetari i komunës thotë se ajo mund të zhduket sërish. Dy pjesë të nëndetëses janë bërë të dukshme nga dhjetori i vitit të kaluar. “Këto pjesë bëhen të dukshme për çdo dy apo tre vjet, varësisht nga erërat që shkaktojnë lëvizjen e rërës së bregdetit”, thotë kryetari i komunës së Wissantit, Bernard Bracq.

Sidoqoftë, zyrtari për turizëm, Vincent Shmitt, beson se era mund të ndikojë që nëndetësja të zbulohet edhe më shumë. “Disa pjesë të saj shfaqen kohë pas kohe, por kjo është hera e parë që po e shohim një pjesë kaq të madhe të saj”, tha ai.

Nëndetëset gjermane janë përdorur gjatë Luftës së Parë Botërore për t’i fundosur anijet e armiqve. Historianët thonë se nëndetësja “UC-61” ka qenë shkaktare e fundosjes së të paktën 11 anijeve përmes vendosjes së minave ujore dhe hedhjes së silurëve, shkruan “BBC”