Nesër publikohet vlerësimi i PISA-së, eksperti i arsimit nuk paralajmëron rezultate të mira

Në vitin 2016, saktësisht më 6 dhjetor, Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësva (PISA) publikoi rezultatet e vlerësimit ndërkomvëtar të arsimit.

Sipas këtij vlerësimi, Kosova ishte në mesin e pesë shteteve me renditjen më të ulët ndërkombëtare, dhe e fundit nga vendet në rajon; performanca e nxënësve tonë 15 vjeçar ishte në pjesën e poshtme të të gjitha disiplinave të testuara.

Ky rangim u kritikua tej mase, deri u quajt i turpshëm dhe u bë thirrje urgjente për ngritjen e cilësisë së arsimit në vendin tonë.

E, tri vite më vonë, pikërisht nesër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të publikojë raportin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2018.

Por, Halim Hyseni, ekspert i arsimit, është shprehur skeptik për rezultatin që do të publikohet nesër.

“Uroj të mos ketë përkeqësim. Avancime sinjifikative nuk do të ketë sepse tatpjeta e sistemit të edukimit dhe të arsimit të Kosovës në këto dy vitet e fundit ka vazhduar. Ajo që është e sigurt se edhe nëse do të ketë ndonjë ulje të shkallës së analfabetëve funksional (në PISA 2015, 78 % e nxënësve pjesmarrës kanë qenë analfabet funksional) kjo rritje nuk do të jetë statistikisht e rëndësishme”, ka thënë Halimi për Indeksonline.

Në raportin e të gjeturave të vitit 2015 u tha gjithashtu se 68 përqind e nxënësve në Kosovë nuk e arrijnë Nivelin 2 të shkallës së përgjithshme shkencore – që konsiderohet si niveli bazë i aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të suksesshme në jetën ekonomike dhe sociale.

E, sa i përket kësaj fushe, Halimi thotë se nuk do të ketë arritje.

“Arritjet shkenca të natyrës matematike, në barazi dhe në efektivitetin e sistemit të arsimit, nuk do të ketë. Nëse rezultatet dalin kështu si po i parashoh unë, në ditën e nesërme në Kosovë, duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme”.

Testi i “PISA” është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm.