Nevoja për reformën zgjedhore dhe KQZ-në

 Shkruan: Musa GJAKOVA

Polarizimi i skajshëm ndërpartiak për shumë çështje në të cilën është duke kaluar Kosova, e bën konfuze situatën e funksionimit të shumë mekanizmave shtetëror, ku iu mbetet subjekteve partiake të deklarojnë që zgjidhja e vetme është që vendi të shkoj në zgjedhjet e parakohshme.

Tashme e njohur për opozitën se KQZ-së i ka skaduar  mandati i kryesuesit  më 27 mars të vitit të kaluar, dhe ende nuk është bërë emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të rinj  nga presidenti Thaçi.

Opozita fajëson presidentin Thaçi, për zvarritje të qëllimshme për mos kryerjen e obligimeve te veta kushtetuese që të bëjë KQZ-në funksionale dhe për ketë çështje disa parti opozitare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkelje ligjore dhe neglizhencën. Ndërsa partitë politike në pushtet arsyetojnë vonesat e presidentit, me arsyen se lënda e përcjellur nga Presidenti Thaqi në Gjykatë Kushtetuese, ka ndikuar ne vonesën e emërimit te kryesuesit dhe anëtareve te KQZ’se, që për një gjë të tillë fare s`ka qenë e nevojshme.  

E kuptueshme është qe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve  zgjidhët me konkurs publik nga Kuvendi i Republikës së Kosovës duke qene ekspert i njohur sistemeve zgjedhore. Organi i KQZ-së duhet me qenë funksional me përbërje të re sa më parë sepse kemi një numër të anëtarëve të kuvendeve komunale që nuk po mund të zëvendësohen, po ashtu, kemi një deputet të Kuvendit të Kosovës që nuk po mund të marrë mandatin (zëvendësim) për shkak të të njëjtit problem. Përveç kësaj edhe brenda vetë institucionit të KQZ-së nuk po mund të ecin përpara shumë projekte duke përfshi edhe punimet për reformën zgjedhore.

Është domosdoshme amandamentimi i Ligjit për Zgjedhjet të Përgjithshme. Kosova është Republikë Parlamentare, ku votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë çdo katër vite. Kosova ka kaluar nëpër një tranzicion demokratik të trazuar dhe shumë të dhunshëm, i cili ka rezultuar me sisteme politike të paqëndrueshme, të dominuara nga partitë politike, ku përfaqësimi partiak dominon mbi përfaqësimin personal. Partitë dominojnë mbi institucionet, dhe partitë e forta në kombinim me institucionet e dobëta janë dukshëm duke e dëmtuar sundimin e ligjit, dhe procesin zgjedhor.

Për tu mënjanuar këto mangësi brenda sistemit zgjedhor, liderët duhet te rishqyrtojnë ligjin se cili është me i miri brenda konditave te reformës zgjedhore ne Kosove. Mirëpo vërehet tek spektri politik se nuk ka gatishmëri që të ngrit kete çështje, se paku per diskutim apo nje  një studim i mirëfilltë, duke i pasur parasysh të gjitha të metat e sistemit aktual zgjedhor, që seriozisht e kanë dëmtuar normën e rregullt demokratike për mbarëvajtje të një procesi zgjedhor ne interes të qytetareve.

Per ndryshimin e ligjit aktual koha eshte konsumuar nga afati kohor i parapare sipas procedurave te rregullta te precizuara me ligjet e Kososoves. Po qe se i qasen me vullnet ndryshimeve cilat prekin shume çështje duhet te kenë parasysh listën e parimeve dhe kërkesave si vijim:

Numrin e zonave zgjedhore në Kosovë

Votimi me lista të hapura apo të mbyllura

Zgjedhja e presidentit drejtpërdrejtë nga populli

Perqindja e pragut zgjedhor per kandidatet per deputet  

Shqyrtimi i 20 vendeve shtesë që janë të rezervuara për deputetët e pakicave kombëtare

Shqyrtimi i pragut zgjedhor për parti, koalicione dhe kandidatë të pavarur

Shumë me rendësi mbetet shqyrtimi i Zyrës për regjistrimin e partive politike (që është pjesë e Sekretariatit dhe vendimmarrja përfundimtare është e KQZ-së)

  Mbrojtja e sovranit të votës (masat parandaluese që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë vjedhje votash)

Numërimi dhe drejtësia zgjedhore

Plotësimi  i ligjit si dhe implementimi për mënyrën e votimit (Votimit Elektronik me Identifikim Biometrik)?

Rregullimi i listave te votuesve së paku dy muaj para zgjedhjeve

Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje

Rregullorja e KQZ-së, rregullimi i financimit të partive politike, etj.

Pra, këto janë disa nga pikat pa u përmendur te tjerat, qe te bëjnë një sistem elektoral modern të kohës që është efektiv në shume vende demokratike, gjithnjë në dualizëm si për përfaqësimin e partive ashtu edhe për përfaqësimin personal. Ky reformimim i sistemit zgjedhor mund të ofroje përmirësim të mëtutjeshëm të të drejtave individuale dhe grupore, si dhe të përmirësoj llogaridhënien dhe legjitimitetin e përgjithshëm demokratik. Sigurisht do të ndikoj edhe në  rritjen e pjesëmarrjes në votim dhe e numrit të votave që partitë mund t’i fitojnë. E gjithë kjo do të kontribuojë që votuesit t’a perceptojnë sistemin zgjedhor si më të drejtë dhe më legjitim  dhe kjo do rezultonte me pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje dhe numër më të madh të votave për partitë.

Autori është ekspert i mardhënieve ndërkombëtare