Nitaj ia kthen Isa Mustafës: Nëse është dikush që po e shpërfill Amerikën, ata jeni ju

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar pas deklarimeve të kryetari të LDK-së, Isa Mustafa, i cili sot në një konferencë për media e ka cilësuar vendosjen e taksës ndaj produkteve si një vendim popullsitë.
Nitaj thotë se ky vendim ndoshta nuk është më i miri i mundshëm , megjithatë sipas zyrtari të AAK-së ‘njeriu lufton me çka ka’.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e paska “goditur” edhe një herë Kryeministrin Haradinaj, për taksën ndaj produkteve serbe! E paska cilësuar vendim populist! Mustafa, duhet ta dijë se taksa ndaj produkteve serbe ka qenë përgjigje ndaj luftës së hapur që Serbia po i bën Kosovës, edhe në planin ekonomik, edhe në planin politik e diplomatik, e madje edhe të sigurisë! Kjo taksë është vendim i Qeverisë dhe është pasojë që shkakun e ka në Beograd e jo në Prishtinë. Mund të mos jetë vendimi më i mirë, por njeriu lufton me çka ka”, ka thënë Nitaj.

Ndërkohë sa i përket kritikave të ish-kryeministri Mustafa se Qeveria po e shpërfill letrën e presidentit të SHBA-së, Nitaj thotë se është pikërisht LDK-ja që po e shpërfill atë letër duke mos u bërë pjesë e dialogut.

“Sa i përket letrës së Presidentit Trump, duket që Kryetari i LDK-së, Mustafa, e paska kuptuar gabimisht atë! Presidenti Amerikn bën thirrje për unitet në këtë proces, dhe nëse dikush nuk po e përfillë këtë këshillë të tij, ai është vet zoti Mustafa”, ka shtuar Nitaj

Zyrtari i lartë i AAK-së, i ka bërë thirrje LDK-së, që të vendosin e t’i bashkohen dialogut, duke qenë se vetëm kështu do të krijohej uniteti i kërkuar karshi Serbisë.

“Në delegacionin e Kosovës janë katër zëvendëskryeministra dhe Qeveria është mjaftueshëm e përfaqësuar, por opozita jo. Uniteti politik bëhët atëherë kur edhe opozita është pjesë e tij. Kjo është kaq e thjeshtë. Mjafton të vendosni”, ka përfunduar Nitaj

Ndërkohë edhe kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot i ka drejtuar një letër shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, duke e ftuar atë që ta bind për t’iu bashkuar dialogut me Serbinë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.