Një qytet në Gjermani shpall “emergjencën naziste”

Një qytet në Gjermaninë lindore ka shpallur “emergjencën naziste” duke thënë se ka probleme serioze me krahun e ekstremit të djathtë.

Dresdeni, kryeqytet i Saksonisë, është konsideruar një baston i ekstremit të djathtë dhe ka qenë vendlindja e lëvizjes Pegida, anti-islame.

Asamblistët e qytetit – kandidat për Kryeqytetin Evropian të Kulturës 2025 – tani kanë aprovuar një rezolutë që kërkon të bëhet më shumë për këtë çështje.

Por, sipas kundërshtarëve, kjo lëvizje është e tepërt.

“Emergjenca naziste” thotë që ka problem serioz në Dresden, e që si problem kërcënon shoqërinë demokratike, ka thënë asamblisti Max Aschenbach, që e nisi mocionin.

Aschenbach, pjesë e “Die Partei” ka thënë për BBC-në se besonte që ishte i domosdoshëm ky aksion sepse, sipas tij, politikanët “nuk po bënin sa duhet për të dalë qartë kundër ekstremit të djathtë”.

“Kërkesa ishte një përpjekje për të ndryshuar këtë. Po ashtu doja të dija se me çfarë njerëz jam ulur në Këshillin e Qytetit në Dresden”, ka thënë anëtari i partisë satirike.

Rezoluta thotë se “sjelljet dhe veprimet e ekstremistëve të krahut të djathtë… po ndodhin në frekuencë të rritjes” dhe thërret që qyteti të ndihmojë viktimat e dhunës së krahut të djathtë, mbron minoritetet dhe forcon demokracinë.

Rezoluta mori 39 vota pro e 29 kundër. Partia që qeveris në Gjermani, CDU, ishte ndër ato që dolën kundër.

Shteti i Saksonisë ka qenë bastion i fortë i Partisë Kombëtare Demokratike të Gjermanisë (NPD) dhe më pas i ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Në zgjedhjet e shtatorit, përkrahja për AfD-në u rrit nga 17.8 për qind më 2014 në 27.5 për qind.