Një vit pa të bijën, Çun Lajçi rrëqeth me vargjet kushtuar Bubulinës

Sot janë bërë një vit prej ndarjes së vajzës së aktorit tonë të madh Çun Lajçit.

Në këtë ditë të kobshme, ai ka kujtuar përmes një poezi ndarjen nga jeta të bijës, Bubulinës.

Dhimbjen dhe mallin për të bijën ai e risjell për publikun përmes vargjeve më emocionale që i ka shkruar ndonjëherë.

Në fakt, kjo poezi është pjesë e një libri që do ta nxjerr në shitje gjatë ditës së nesërme (e martë) artisti shqiptar.

Ai ka ndarë dhimbjen së bashku me shumë ndjekës që i ka në llogarinë personale të Facebookut.

Lexojeni më poshtë poezinë e aktorit:

BUBULINË

Sot nji vit ike
S’me prite të kthehem nga rrugë e largët
Tani m’thoni
Si të çmësohem me buzëqeshjen e saj
E t’eci krenarë me dhimbje nën sqetull?!

Po mirake
Jerusalemi qeshi kur shqip fole:
“Jezunë du me prekë e shtrat i tij m’u ba”
Adeeb Joudeh ta hapi derën
e t’shenjtës “Sepulchre” atë mëngjes korriku
diell i përvëluem zemre
Ti ece temjanit, unë pas xhamive
ku myezinët lëshonin zá
kur u ktheva,Sepulchre mshelë ishte
Ti s’dole ma!
Unë
i vetmuem n’qytetin plot jetë
i mërdhimë n’prushin e mbuluem me hi
dëshpërue nga lumtuni korriku
zjarm andrrash futa n’gji

E shkurtë dita për vetëvrasje
Nata e gjatë për dashuni

S’e kuptoj pse gëzohem që s’vdes
e pse jetoj në këtë botë me përralla
Zot
çka t’baj me Ninin që larg meje leh
e Bubën që varun m’rri mbi qepalla.