“Nostradamusi modern”, shkencëtari që parashikoi trazirat e 2020 në SHBA

Ngjarjet e këtij viti mund të kenë befasuar shumë amerikanë, por jo shkencëtarin Peter Turchin, i cili e parashikoi që përpara një dekade paqëndrueshmërinë aktuale politike, ekonomike dhe sociale qe po ndodh.

Turchin, studiues në Universitetin e Connecticut, publikoi një punim në 2010 ku thoshte se ky instabilitet do të mbërrinte pikun në vitin 2020. Ai nënvizonte rritjen e borxhit publik, uljen e pagës reale, një shtim të ndjeshëm të të diplomuarve dhe një thellim të fortë të hendekut mes të pasurve e të varfërve.

Të gjitha këto sipas tij, kane pasur një rritje të fortë çdo 50 vjet – në vitet 1870, 1920 dhe 1970. Në letër, Turchin shkruan se nisur nga ky trend, “diçka e ngjashme mund të ndodhte edhe rreth vitit 2020.” Tani që kemi hyrë pikërisht në këtë vit, studiuesi rishikoi punën e tij dhe zbuloi se këto trende pësuan rritje pas vitit 2010, dhe SHBA preku nivele të ngjashme me ato që arritën kulmin në fundin e viteve 1960.

Punimi i Turchin me titullin “Paqëndrueshmëria politike mund të jetë një kontribues madhor në dekadën e ardhshme,” pretendon se “shoqëritë komplekse njerëzore preken nga valët e përsëritura – e sipas tij edhe të parashikueshme – të paqëndrueshmërisë politike”, ndërsa indikatorët e mësipërm, në dukje të ndryshëm, nga sa thotë studiuesi, në të vërtetë janë të lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë dinamike.