OEAK: Qeveria e re e Kosovës të garantojë një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë

Vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re të Kosovës, thuhet në një komunikatë të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK).

“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të demonstrojë me veprime konkrete angazhimin e saj për një zhvillim më të hovshëm të Kosovës, duke garantuar një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, si bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht duke bërë të mundshme angazhimin e të gjitha kapaciteteve të ndërmarrjeve brendshme dhe atyre të jashtme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në komunikatë.

Sipas anëtarëve të OEAK-së, strategjia nacionale e zhvillimit ekonomik do të duhej të ishte ndër dokumentet e para të prodhuara nga Qeveria e re.

“Vëmendje e rëndësishme nga Qeveria e re duhet kushtuar zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke filluar nga reformimi i sistemit të edukimit në të gjitha nivelet e tij, duke nisur nga ai parafillor, me qëllim të nxitjes së ndërmarrësisë në mesin e gjeneratave të ardhshme, por edhe përmirësimin e raportit ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, do të mbahen më 6 tetor.