Osmani akuzon Hotin: Deshi të na kufizojë buxhetin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka drejtuar sot akuza për kryeministrin e vendit, pasi sipas saj qeveria që drejton Hoti ka bërë përpjekje që t’ia caktojë buxhetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas saj, Qeveria s’mund t’ia caktojë buxhetin dhe se një qasje të tillë të Qeverisë e ka cilësuar si “presion buxhetor”.

Përveç kësaj, Osmani ka thënë se Qeveria ka pasur tendenca që të mos e lejojë Kuvendin të përzihet në punën rreth pandemisë, meqë sipas saj janë bllokuar iniciativat ligjore të iniciuara nga vetë ajo dhe disa deputetë të tjerë.

“Sfida më emergjente është pandemia. Siç e dini ka pasur tendenca të thuhet se Kuvendi nuk ka fare kompetenca të përzihet tek çështja e pandemisë, dhe për katër muaj është bllokuar një iniciativë ligjore që e patëm iniciuar, unë si kryetare me disa deputetë tjerë”- ka thënë mes tjerash kryetarja e Kuvendit të Kosovës në një diskutim në AAB.

Osmani përveç tjerash ka folur edhe për sfidën e saj me punën në Kuvend, pasi sipas saj Parlamenti për vite me radhë është konsideruar si një institucion ku vulosen vendimet e Qeverisë.

“Për shkak se pikërisht që për vite të tëra Parlamenti i Kosovës është konsideruar vetëm si vulë që vulosë vendime të qeverisë, shumë prej qytetarëve e kanë humbur besimin në të. Sepse nuk e kanë parë si një vend ku bëhet kontrolli, ku bëhet mbikëqyrja, pra ku shërben si një lloj filtri si një lloj kontrolluesi në qoftë se ato vendime janë të mira apo jo. Pra kjo është një ndër sfidat që na kanë përcjellë ndër vite dhe është një prej çështjeve që përmendet në shumicën dërmuese të raporteve të Komisionit Evropian.”, ka shtuar Osmani.