Pacientët detyrohen të blejnë citostatikun që mungon në QKUK

Afro 1 mijë e 300 euro në muaj i duhet që të shpenzojë L. P. nga Prishtina për trajtimin e bashkëshortit të saj, i cili vuan nga sëmundja e kancerit. Citostatiku Cisplatin (ilaç për trajtimin e kancerit) është duke munguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe çmimi i këtij ilaçi në barnatore është 58 euro

Cisplatin është një nga barnat që përdoren më së shumti për të sëmurët me kancer. Ai mund ta zëvendësohet me Carboplatin, por për shkak se sëmundja e afro 20 pacientëve është e avancuar dhe agresive, ata detyrohen ta blejnë Cisplatinin me paratë e tyre.

L. P. ka treguar për gazetën se është e nënta herë që asaj i duhet ta blejë ilaçin Cisplatin për bashkëshortin e saj.

“Çdo javë më duhet t’i shpenzoj nga 310 euro për ta kompletuar terapinë e tij. Këto shpenzime janë të tepërta për familjen tonë”, ka thënë ajo.