Pacolli: E vazhdojmë dialogun kur “diplomacia e ndyrë serbe” të ndalojë së minuari shtetësinë e Kosovës

Zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve strategjikë, siç janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia që nga fillimi i viteve ‘90.

Duke iu përgjigjur kërkesës së shteteve të QUINT-it, të cilat sot kërkuar vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, Pacolli tha se “mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quint së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Por tha se, edhe përkundër që Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ka qenë e gatshme t’i rifillojë bisedimet, “ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht”.

Pacolli përmendi edhe deklaratën e shefit të zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha se Serbia do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e saj, duke iu referuar kërkesës së QUINT-it që kërkoi nga Serbia ta ndërpres lobimin për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj”, ka shkruar Pacolli, raporton Koha.net.

Ai tha se Kosova është e gatshme për dialog, “por kushtet janë të qarta – si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.