Palestina i kërkon Organizatës për Bashkëpunim Islamik t’i shkëpusë marrëdhëniet me Kosovën

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Palestinës (MOFAE) i ka bërë thirrje Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC-OBI) t’i ndërpresë marrëdhëniet me Kosovën, pas hapjes së Ambasadës sonë në Jerusalem.
Kjo kërkesë u bë përmes një letre dërguar nga ministri i Jashtëm, Riyad al-Malki, ndaj sekretarit të përgjithshëm të OBI-t, dr. Yousef bin Ahmed Al-Othaimeen, shkruan gazeta pan-arabe, “Asharq Al-Awsat”.

Në emër të Palestinës, Malki i bëri thirrje Othaimeenit të kërkojë që anëtarët e OBI-t t’i ndërpresin marrëdhëniet me Kosovën, duke zbatuar kështu “politikën e organizatës ndaj vendeve që shkelin ligjin ndërkombëtar, vendimet e samiteve islamike dhe rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar”.
MOFAE tha se ky hap është “një sulm i hapur ndaj popullit palestinez, ndaj të drejtave të tyre dhe shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”:
Republika e Kosovës njoftoi muajin kaluar se ka hapur Ambasadën në Jerusalem.
Kështu, Kosova i është bashkuar SHBA-së dhe Guatemalës si të vetmet vende që hapin ambasadat në mes të konfliktit Izrael – Palestinë.
Kosova vendosi të hapte ambasadën në Jerusalem pas ndërtimit të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin vitin e kaluar në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë.