Palmer: Pajtimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i mundshëm

I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka deklaruar se është i bindur se një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet, se Shtetet e Bashkuara do ta përkrahin Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, është e përkushtuar ndaj dialogut dhe se Rusia e dëshiron Ballkanin të trazuar dhe të zhytur në mosbesim.

“Një prej qëllimeve tona kryesore është që t’i japim përkrahje një qeverie në Kosovë e cila është e përkushtuar në dialog, gjë që nënkupton suspendimin e taksës dhe rikthimin në tavolinën e bisedimeve”, ka deklaruar Matthew Palmer në një intervistë dhënë televizionit publik malazez, RTCG. Sipas tij, bisedimet do të duhej të ishin serioze dhe të rezultonin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Idealja do të ishte njohja e ndërsjellë. Sapo të dy palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve, ne do të jemi aty si partnerë në kërkim të një marrëveshjeje e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë, një marrëveshje e qëndrueshme dhe fer, e cila do t’i ndihmojë Serbisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi ai për televizionin malazez. Palmer shtoi se është me shumë rëndësi për krejt rajonin që kjo çështje të zgjidhet, por ai nuk beson se kontestet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të mund të ndikonin në rrugën evropiane për vendet tjera. Palmer ka deklaruar se “rusët janë në fuqi në Ballkanin Perëndimor’ dhe se ShBA ka një pikëpamje krejtësisht tjetër në rajon në raport me Rusinë.

“Ne e shohim Ballkanin Perëndimor si një anëtar të familjeve të vendeve perëndimore, të integruar në institucionet euroatlantike, si vende me të cilat bashkëpunohet në baza të të drejtave dhe ligjeve. Rusët tashmë na kanë treguar se e dëshirojnë një rajon të bazuar në trazira dhe mosbesim. Mendoj se këtë më së miri e ka dëshmuar me rastin e Malit të Zi, kur rusët ishin përkrahës të grusht shtetit në vitin 2016, i cili ka qenë një potez i panjohur në mënyrë që Mali i Zi të pengohet drejt integrimit në NATO dhe BE”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse është e mundur që një gjë e tillë të përsëritet, Palmer ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion që mund ta shtynte të besonte se diçka e tillë mund të ndodhë përsëri.“Megjithatë, unë nuk mendoj se rusët kanë mbaruar përpjekjet e tyre për të shkaktuar probleme në Mal të Zi dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe këtë gjë ne e shohim në krejt rajonin”, ka deklaruar Matthew Palmer për RTCG.