Pas orës 18:00 mësohet se a ka të prekur të tjerë me koronavirus

Sot pas orës 18:00, pritet të dalin rezultatet për mostrat e pacientëve të dyshuar për koronavirus. Deri tash, në gjithë vendin janë konfirmuar 16 raste

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Era Pireva.

“Rezultatet dalin pas orës 18:00. Për mostra nuk e dimë numrin e saktë se klinika sjell kohë pas kohe mostra”, ka thënë Pireva

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së martës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar rastin e 16-të me koronavirus në vend.

Sipas IKSHP-së, shtatë raste janë nga fshati Stubëll e Epërme e Vitisë, katër raste nga Malisheva, një rast nga komuna e Klinës, një nga Prizreni, një nga Podujeva, një nga Prishtina dhe një nga Obliqi.

“Nga data 13.03.2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri sot me 17.03.2020 gjithsej gjashtëmbëdhjetë raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2: Rastet janë 7 raste nga fshati Stubëll e epërme – Vitisë, 4 raste nga komuna e Malishevës dhe me nga një rast komuna e Klinës, Prizrenit, Podujevës, Obiliqit dhe Prishtinës. Shtatë prej tyre raste të importuara tashmë nga vendet që raportojnë për qarkullim të COVID -19. Tetë prej tyre të gjinisë femërore dhe tetë mashkullore, rastet janë të grup-moshave 5 – 14 (2 raste), 15-24 (2 raste), 25 – 34 (3 raste), 35 – 44 (4 raste), 45 – 54 (2 raste), 55 – 64 (1 rast ) dhe mbi 70 vjeç (2 raste)”, ka njoftuar Instiuti.