Pas shkrimit në FAZ ku kritikon SHBA-të, Vuçiq e përkrah qëndrimin e kryeministrit Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar një opinion në gazetën e njohur gjermane FAZ rreth dialogut dhe marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Në këtë op-ed, Kurti iu ka dërguar mesazh SHBA-ve, duke thënë se marrëveshjet e arritura nën presion dhe kërcënime nuk kanë vlerë dhe nënshkrimet nuk kanë peshë, duke aluduar në presionin e SHBA-ve për heqjen e taksës.

Ky qëndrim i Kurtit, po konsiderohet si i shumë i drejtë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, është e vërtetë që një marrëveshje nën presion nuk vlenë asgjë, shkruan B92.

Megjithatë, Vuçiq e ka shfrytëzuar një thënie të tillë të Kurtit për t’i kritikuar bashkësinë ndërkombëtare.

“Asgjë që arrihet me forcë nuk është e vlefshme, siç ishte rasti i agresionit të NATO-s ndaj Serbisë në rastin e Kosovës”, tha Vuçiq.

Tutje kreu i shtetit serb ka thënë se do të presin derisa të hiqet taksa plotësisht, ndërkohë ka potencuar se nuk do të thonë faleminderit për diçka të tillë shkaku i dëmit të madh që i është shkaktuar Serbisë.

Rreth deklaratave të Kurtit për reciprocitetin, Vuçiq ka thënë se nuk pranon të flasë pasi për të një gjë e tillë është ‘marrëzi’.