Pas shumë përplasjeve, Prishtina e Tirana dalin me një deklaratë të përbashkët

Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca ka publikuar deklaratën e përbashkët me homologun e tij nga Shqipëria, Gent Cakaj. Të dy mbështesin bashkimin e partive shqiptare në Luginë të Preshevës.

Kosova e Shqipëria kanë dalë me deklaratë të përbashkët për arritjen e një koalicioni të partive shqiptare në Serbi, para zgjedhjeve të prillit.

“Në cilësinë e drejtuesve të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nënvizojmë edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së koalicionit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës. Ky koalicion është thelbësor për ngritjen e frymës kombëtare dhe ruajtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë. Ndaj, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta mbështetur projektin e Luginës së Bashkuar deri në fund!”, thuhet në postimin e Konjufcës në Facebook.

Ky qëndrim vjen pas disa përplasjeve që i ka pasur Qeveria e kaluar e Kosovës dhe kjo e tashmja me qeverinë e Edi Ramës, për shkak të idesë së minishengenit ballkanit, të iniciuar nga Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuciq.